EMRI/ I dënuar me 5 vite burg, arrestohet 41-vjeçari në Qafë Botë

Policia ka arrestuar një 41-vjeçar në pikën kufitare Qafë Botë pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Bëhet fjalë për shtetasin Sabri Tahiraj, i cili ishte në kërkim për të kryer dënimin e tij prej 5 vitesh nën akuzën “Prodhim dhe shitje narkotikësh”.

Shtetasi Sabri Tahiraj ishte larguar në mënyrë të kundërligjshme, në drejtim të shtetit grek, me qëllim shmangien nga vuajtja e dënimit me burgim dhe është kapur nga Policia greke, pas shkëmbimit të informacionit me Policinë shqiptare.

Njoftim policie

Vihet në pranga një 41-vjeçar i shpallur në kërkim kombëtar, pasi ishte dënuar me 5 vjet burgim, për prodhim dhe shitje narkotikësh.

Në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Botë, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Fier, kanë identifikuar dhe ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim kombëtar:

-Sabri Tahiraj, 41 vjeç, banues në Cakran, Fier. Ky shtetas gjatë intervistimit në PKK Qafë Botë, ka dhënë identitet të rremë, por si rezultat i verifikimeve dhe i veprimeve të thelluara hetimore, është bërë i mundur identifikimi i tij.

Në vitin 2019, 41-vjeçari dhe 2 shtetas të tjerë u vunë në pranga në kuadër të operacionit policor antidrogë të koduar “Kreshpan”, të finalizuar nga Policia e Fierit. Me qëllim realizimin e hetimeve dhe dokumentimin e rastit me prova ligjore, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier vendosi fillimisht ndaj shtetasit Sabri Tahiraj, masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Si rezultat i hetimeve të thelluara, u dokumentua me prova ligjore, përgjegjësia penale e 41-vjeçarit dhe Gjykata vendosi dënimin përfundimtar të tij, me 5 vjet burgim, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Shtetasi Sabri Tahiraj ishte larguar në mënyrë të kundërligjshme, në drejtim të shtetit grek, me qëllim shmangien nga vuajtja e dënimit me burgim dhe është kapur nga Policia greke, pas shkëmbimit të informacionit me Policinë shqiptare./albeu.com