EMRAT/ Një grua e dy të rinj, kush janë autorët e pengmarrjes me armë zjarri në Gjirokastër

Ditën e sotme në Gjirokastër u vunë në pranga 3 shtetas të cilët akuzohen se kanë marrë peng dhe e kanë mbajtur disa orë një shtetas. Në pranga kanë rënë 3 shtetas, Enea Taho 33-vjeç, Myrteza Domi 28 vjeç dhe Denisa Karaqozi 35 vjeçe, si autorë të kësaj pengmarrje.

Përveç armës, ata mbanin edhe lëndë narkotike të llojit kanabis, të cilën e kishin ndarë ne qese dhe letër alumini dhe ende  nuk dihet nëse e përdorën për personin që mbajtën peng, nëse e kishin për konsum apo për ta shitur.

I përfshirë në ngjarjen e rëndë ka qenë edhe një i mitur, i cili është lënë për tu proceduar në gjendje të lirë.

Njoftimi i policisë:

Gjirokastër.; Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Kalaja”.

I hoqën lirinë në mënyrë të paligjshme nën kërcënimin e armës 34 vjeçarit, arrestohen në flagrancë nga Policia 3 shtetas.

Sekuestrohen 1 armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, një sasi dozash me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sattiva dhe një mjet mprehës (thikë)

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Gjirokastër në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Gjirokastër, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se shtetasit J. Gj., 34 vjeç, banues në Gjirokastër, i kanë hequr lirinë nën kërcënimin e armës 4 shtetas, organizuan punën dhe falë veprimeve të shpejta dhe profesionale bënë të mundur finalizimin e operacionit “Kalaja”, ku si rezultat u arrestuan në flagrancë shtetasit:

•M. D., 28 vjeç, E. T., 33 vjeç dhe D. K., 35 vjeçe, të tre banues në Gjirokastër, si dhe u procedua në gjendje të lirë një 14 vjeçar.

Shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri – tjetrin nën kërcënimin e armës i kanë hequr lirinë shtetasit J. Gj, duke ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj tij për disa orë.

Falë reagimit të menjëherëshëm të Policisië dhe veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi, lokalizimi dhe vënia në pranga e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje.

Nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit E. T., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatike, 35 doza me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sattiva, një mjet mprehës (thikë).

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprime të mëtejshme. /albeu.com/

 

 

Shtuar 10.06.2021 07:06