Vaksinat nuk janë zhvilluar për një dietë specifike dhe janë testuar te njerëzit duke u bazuar në dietën e zakonshme, pavarësisht ushqimit që përdorin; pra ushqimi nuk është marrë si faktor në fazat e studimit.
Por megjithatë, meqë vaksina bëhet për të ndihmuar sistemin imunitar që të luftojë virusin, atëherë ju indirekt mund të ndikoni nëpërmjet ushqimit që të përforconi dhe mbështesni më fuqishëm sistemin imunitar, ose nga ana tjetër të mos e dëmtoni.
Në një lidhje skype për “Wake Up”, profesori i Universitetit të Tetovës, Egzon Ademi tregoi se çfarë duhet të hamë para dhe pas vaksinimit.
“Në fazat e studimit asnjë vaksinë nuk është studiuar për një dietë specifike. Meqë vaksinat shërben për forcimin e imunitetit, edhe ushqimi luan një rol në këtë.
Uji është komponenti kryesor që ndihmon në këtë. Duhet parë kjo kohë pas marrjes së dozës së parë, deri në një javë pas dozës së dytë, që janë ato 4 javë më të rëndësishme kur fillon prodhimi i antitrupave. Uji është themelor, së paku duhen 8 gota ujë në ditë, veç ujit që marrim nga ushqimet.
Duhet të shmangim konsumimin e tepërt të alkoolit. Një gotë alkool nuk ndikon direkt, por konsumimi i madh i alkoolit do të kishte ndikuar direkt në uljen e nivelit të imunitetit. Gjithashtu duhet të limitohet përdorimi i cigareve. Është e mirë dalja në ajër të pastër për të marrë vitaminën D, së paku 15 minuta në ditë.
T’u largohemi konsumimit të tepërt të sheqernave, të yndyrnave. Të konsumohen sa më shumë proteina që gjenden te mishi i peshkut, mishi i pulës, fasulet, avokado, fruta të thata, fruta të malit. Te vitaminat që gjenden te frutat, molla, portokalli, banane etj.
Mineralet, më i rëndësishëm është konsumimi i ushqimeve të pasura me zink dhe magnez. Forcojnë imunitetin dhe metabolizmin e njeriut”, bëri të ditur profesori i njohur.