Gazment Bardhi i ftuar në “Radari Informativ” në Abc të gazetares Juli Xhokaxhi, ka folur për përplasjen e fundit në Kuvend mes tij dhe Edmond Spahos, ku më pas ndërhyri dhe Tritan Shehu.
Shkak për këtë përplasje ishte përmendja e një vile luksoze në Lalz, për të cilin Bardhi tha se i përket një anëtari të Rithemelimit.
Bardhi foli në “radari Informativ” edhe për thirrjen e Tritan Shehut, që nëse ka prova duhet të shkojë në prokurori, në të kundërt duhet të merret si i pandehur për fshehje krimi.
Pjesë nga diskutimi:
Xhokaxhi: Nëse kjo vilë ekziston në emër të dikujt tjetër, si e vërtetuat ju që i takon një anëtari të Rithemelimit?
Bardhi: Së pari unë çfarë kam patur për të thënë e kam thënë. Kam dëgjuar një koleg që do duhet të më thërrasë, prokuroria, jam i gatshëm të shkoj. Halim Kosova ka akuzuar Tritan Shehun që zoti Shehu i ka ndërhyrë që një tender që ka kushtuar 100 mijë euro t’ia jepte një tjetri për 600 mijë euro. Do të doja që të njëjtin qëndrim zoti Shehu të kishte dhe për këtë akuzë.
Xhokaxhi: A keni fakte që kjo vilë i takon një deputeti demokrat?
Bardhi: Vila i përket kolegut tim në bashkëpronësi me dikë tjetër. Për shkak të detyrës time si Sekretar i PD kam më shumë informacione se çdo tjetër.