Dita Ndërkombëtare e Infermierit, Meta: Të përmirësohen kushtet dhe rrogat që të mos largohen nga vendi

Presidenti Ilir Meta, në Ditën Ndërkombëtare të Infermierit, ka shprehur mirënjohje për të gjithë infermierët për punën heroike në vijën e parë të frontit gjatë pandemisë.

Meta, në postimin në Facebook, shkruan se, duhet të përmirësohen kushtet dhe rrogat që ata të mos largohen nga vendi.

“Gjatë kësaj krize të rëndë të pandemisë, infermierët kanë bërë një punë heroike, duke luftuar ditë e natë me humanizëm, përkushtim dhe sakrifica të jashtëzakonshme, deri duke rrezikuar jetën e tyre në mbrojtje të shëndetit tonë.

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Infermierit, ne u jemi më mirënjohës se kurrë për kujdesin dhe profesionalizmin e dëshmuar në vijën e parë të frontit kundër armikut të padukshëm.

Përmirësimi i kushteve të punës dhe trajtimi i duhur financiar është vendimtar për të frenuar largimin e tyre nga vendi dhe rritur standardet e shërbimit tonë shëndetësor”, shkruan Meta./albeu.com


Shtuar 12.05.2021 09:39