Dita e tretë, targat vazhdojnë ta mbajnë të bllokuar veriun

Janë bërë tri ditë qëkur dy rrugë nacionale, që lidhin Kosovën dhe Serbinë mbeten të bllokuara nga serbë lokalë, që po kundërshtojnë masën e reciprocitetit për targat e Serbisë.

Policët e njësive speciale të Kosovës po qëndrojnë në Jarinjë dhe Bërnjak, ku serbët kanë bllokuar rrugët me kamionë dhe automjete të tjera.

Kosova insiston që masa e reciprocitetit nuk u vendos për të provokuar serbët, ndërkaq Serbia kërkon tërheqjen e policisë nga veriu, në të kundërtën ka paralajmëruar masa. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian u kanë bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të ulin tensionet dhe të shmangin veprime të njëanshme që do ta përkeqësonin situatën në veri.

Lidhur me situatën e shkaktuar në veri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën, më 21 shtator u tha ambasadorëve të QUINT-it se vendimi për targat e Serbisë nuk është provokim e as diskriminim.

Sipas një njoftimi për media të Zyrës së Kryeministrit, Kurti tha se në Jarinjë dhe Bërnjak qytetarët serbë vazhdojnë t’i mbajnë të bllokuara rrugët, por sipas tij, njësitë speciale të Policisë së Kosovës “janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare”, duke shtuar se në këto pikëkalime nuk është regjistruar asnjë incident.

“Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia”, tha Kurti.

Vendet e QUINT-it, Shtetet e Bashkuar, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia, janë përkrahësit më të mëdhenj të shtetësisë së Kosovës.

“Ambasadorët dhe kryeministri Kurti u pajtuan që duhet ruajtur paqen dhe qetësinë, stabilitetin dhe sigurinë, dhe se dialogu duhet të vazhdojë e situata duhet të de-eskalojë”, thuhet në njoftim, ku përveç ambasadorëve të QUINT-it mori pjesë edhe shefi i misionit të Bashkimit Evropian në Prishtinë, Tomas Szunyog.

Ky takim i Kurtit me QUINT-in vjen pak orë pasi në Serbi, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare për shkak të gjendjes së krijuar nga vendimi i 20 shtatorit për reciprocitetin për targat.

Pas takimit, Vuçiq tha se Kosova duhet të ndryshojë vendimet e saj “të këqija” ose në të kundërtën, shteti i tij do të ndërmarrë masa, pa specifikuar se për çfarë masash bëhet fjalë.

“Ne duam t’i ofrojmë kohë shtesë Prishtinës për të ndryshuar vendimet e tyre të këqija. Nëse jo, ne do të marrim masa”, tha Vuçiq.

Ai kërkoi që Kosova të tërheqë forcat policore nga veriu i vendit.

Pavarësisht se paralajmëroi masa, Vuçiq tha se Serbia do të vazhdojë të këmbëngulë në ruajtjen e paqes dhe të “sigurisë së popullatës serbe në Kosovë”.

Vuçiq tha se Serbia do të kërkojë një përgjigje urgjente nga Bashkimi Evropian nëse marrëveshja e Brukselit është e ligjshme ose jo dhe se kur do të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“Në muajin e ardhshëm, ne do të kërkojmë një përgjigje dhe heshtja e mundshme do të jetë një shenjë e qartë për ne se marrëveshja nuk ekziston dhe se ata nuk duan që ajo të pranohet”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se këtë mëngjes ka biseduar me ambasadorët e vendeve më të fuqishme perëndimore sesi duhet të duket një “zgjidhje kompromisi”.

“Unë e refuzova atë zgjidhje sepse nuk është një kompromis, por një zgjidhje që do të poshtëronte Serbinë”, tha Vuçiq.


Shtuar 22.09.2021 09:33