Kryeministri Albin Kurti përsëriti kërkesën që Bashkimi Evropian t’i japë Kosovës statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat për anëtarësim.
Gjatë Samitit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të zhvilluar në Tiranë, ai paralajmëroi se mungesa e veprimit nga BE-ja mund të cenojë besimin e qytetarëve në perspektivën evropiane të Kosovës.
Të lidhura
None found
Kurti nënvizoi se Kosova mbetet i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon ende statusin kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Një proces i bazuar në merita duhet të na japë mundësinë të vlerësohemi; përndryshe, një histori e përparimit demokratik rrezikon të shndërrohet në një tregim paralajmërues. Këshilli i Bashkimit Evropian më në fund t’i kërkojë Komisionit Evropian përgatitjen e opinionit për aplikimin e Kosovës për anëtarësim. Muaji i ardhshëm shënon katër vjet nga dorëzimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE. Statusi i kandidatit dhe hapja e negociatave të anëtarësimit – një hap që Kosova e ka fituar me meritë”, deklaroi Kurti.
Sipas kryeministrit, qytetarët e Kosovës kanë ndër nivelet më të larta të mbështetjes për anëtarësimin në BE dhe të besimit te ky institucion në të gjithë rajonin. Për këtë arsye, ai e cilësoi urgjente përparimin e vendit në rrugën e integrimit evropian.
Duke iu referuar raporteve të organizatave ndërkombëtare, Kurti foli edhe për zhvillimet ekonomike dhe demokratike në Kosovë. Ai përmendi rritjen ekonomike prej 4.7 për qind gjatë gjysmës së parë të këtij viti, shtimin e investimeve private dhe rënien e papunësisë nga 26 në 11 për qind.
Ai tha se Kosova ka realizuar një pjesë të rëndësishme të reformave të parashikuara në Planin e Rritjes. Pas ngadalësimit të shkaktuar nga zgjedhjet e përsëritura, vendi, sipas tij, ka rikthyer stabilitetin institucional dhe ka përshpejtuar zbatimin e reformave.
Pas pjesëmarrjes në Samitin BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel, Kurti mori pjesë në samitin e gjashtë radhazi të Planit të Rritjes, i cili u zhvillua për të tretën herë në Tiranë. Në takim, së bashku me kryeministrin Rama, përfaqësuesit e vendeve të rajonit dhe Komisioneren Kos, u diskutuan reformat dhe integrimi gradual në Tregun e Vetëm të BE-së.








