Deputeti demokrat thirrje qytetarëve: Të bëjmë betejën e fundit për fëmijët tanë

Deputeti demokrat, Dashnor Sula, është shprehur se shqiptarët duhet të bëjnë betejën e fundit për fëmijët e tyre.

Komentet Sula i ka bërë përmes një reagimi në Facebook, ku është shprehur se të rinjtë po largohen nga vendi dhe se ka ardhur koha për të ndalur këtë të keqe.

Sula i bën thirrje qytetarëve të bëhen bashkë për të zhvilluar këtë betejë që nis me largimin e qeverisë dhe për të vijuar më pas sipas tij me ndërtimin e një shteti të së drejtës.

“Të bëjmë betejën e fundit për të mbajtur këtu fëmijët tanë! Nesër do të jetë shumë vonë!

Kjo është një lutje për miqtë dhe qytetarët e këtij vendi! Një thirrje për tu zgjuar nga kjo ëndërr e keqe që po jetojmë në këto 9 vite!

Si prind dhe qytetar kam ndjerë trishtim të thellë kur jam njohur me shifra që është pak të thuash shqetësuese! 220 mijë qytetarë kanë lënë Shqipërinë në 5 vitet e fundit! Pavarësisht shifrave zyrtare te Instat e sigurte që numri i të larguarve eshte më i larte pasi një pjesë nuk deklarohen nga personat e larguar pasi hyjnë e dalin sipas periudhes së qendrimit 3- mujor por që nuk e kane ndermend qe te rrine ketu ne Shqiperi ,sapo i krijohen mundesite perfundimtare per tu rregulluar nuk kthehen me.Vetëm vitin që lamë pas janë larguar 42 mijë qytetarë! Pjesa më e madhe e tyre të rinj!

Po ikin të rinjtë! Po ikin fëmijët tanë! Po largohen si një formë shpëtimi nga një vend që nuk i ofron asnjë mundësi nuk po largohen për të ndjekur ëndrrat e tyre!

Po ikin bujqërit! Po lënë gjithçka! Po braktisin tokat dhe investimet e tyre! Po ikin të shpëtojnë nga një shtet që mbështet më shumë prodhimet serbe se ato “Made in Albania”.

Po ikin sipërmarrësit! Po mbyllin qepenat e bizneseve të tyre! Po shohin mundësi të reja në shtete që i trajtojnë me dinjitet!

Të gjithë jemi përballë mundësive për të qëndruar apo për tu larguar! Ju ftoj ta bëjmë të gjithë bashkë këtë betejë, që nis nga rezistenca dhe largimi i kësaj qeverie për të vijuar me ndërtimin e një shteti të së drejtës! Beteja është e të gjithëve”, u shpreh Sula./albeu.com/