Shembja e pallatit 12-katësh në Florida të SHBA-ve, po merr përmasat e një tragjedie. Videot e fotot që vijnë nga përtej Oqeanit, janë vërtetë të rënda.
CNN, ka publikuar së fundmi pamjet brenda një apartamenti, të pallatit që u shemb. Në të shihet momenti i tronditjes së madhe, por edhe rënia e suvenireve e orendive të tjera shtëpiake në dysheme. Fatmirësisht në këtë banesë, në momentin e shembjes nuk ka pasur asnjë person brenda.
Një grua e quajtur Santana, e cila është pronarja e banesës, thotë se ajo fundjavave largohej nga shtëpia, por sa herë që ikte, gjithmonë vendoste një kamera për të regjistruar ambientet e brendshme.
“Kjo është banesa ime. Unë në fakt largohem fundjavave, por gjithmonë vendos një kamerë për të regjistruar ambientet e brendshme. Këto janë të vetmet pamje që kam regjistruar, pasi më pas, linja humbi dhe gjithçka doli jashtë funksionit”, është shprehur pronarja e banesës.
Aktualisht, ekipet e kërkim-shpëtimit janë duke vijuar kontrollet nën rrënojat, për të gjetur 51 personat që janë ende të zhdukur. Deri më tani, autoritetet kanë shpallur 1 person të vdekur, ndërsa po punohet për shpëtimin e të tjerëve që ndodhen nën gërmadha.
Si ndodhi ngjarja:
Shembja është regjistruar në orën 1:30 pas mesnate, ndërsa shkaqet ende nuk janë bërë të ditura. Aktualisht, dy persona janë nxjerrë të gjallë nga gërmadhat, 35 të tjerë janë evakuuar, ndërsa 1 person, për fat të keq ka ndërruar jetë.
Ekipet e kërkim-shpëtimit janë duke kërkuar për 51 personat që janë shpallur të zhdukur. Ndërtesa është ndërtuar në vitin 1980, kurse së fundmi i ishte nënshtruar një rikonstruksioni të tavanit të katit të fundit. Nuk dihet ende nëse ky është shkaku i shembjes dhe shkaktimit të kësaj tragjedie, shkruan CNN.
@AgendaFreeTV I am a resident of one of the condos on the side of the collapse. This is a video from my camera footage inside from the start of the collapse until the lose of connection (I was away from the building today). Towards the end, you hear the structure failing pic.twitter.com/UzBJQogUxp
— rosie✨ (@_rosiesantana) June 24, 2021