Daily Express zbulon skemën: Si kalojnë shqiptarët nga Irlanda për të emigruar në Britaninë e Madhe, i pret taksisti

Foto ilustruese

Teksa fluksi i emigrantëve shqiptarë për në Mbretërinë e Bashkuar vijon të rritet vazhdimisht, mediat e huaja i kanë kushtuar artikuj të ndryshëm këtij fenomeni.

Gazeta britanike “Daily Express” përmes një artikulli ka zbuluar një skemë të re, në të cilën tregohet sesi shqiptarët tashmë po zgjedhin një tjetër mënyrë për shkuar në mënyrë të jashtëligjshme në Angli dhe kjo mundësohet duke kaluar nga Dublini i Irlandës.

Sipas “Daily Express” emigrantët shqiptarë kanë nisur të shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar përmes aeroportit të Dublinit, një rrugë e cila kushton 2 500 paund më lirë se kalimi famëkeq nëpër Kanalin Anglez.

Kontrollet e buta kufitare pas Brexit-it ndërmjet Irlandës dhe Britanisë së Madhe po shfrytëzohen nga kontrabandistët shqiptarë për të sjellë azilkërkues, shpesh me dokumente false të Bashkimit Evropian drejt Britanisë.

Shqiptarët po punojnë me bandat kriminale irlandeze për të çuar emigrantët në Dublin. Atje, një shofer taksie irlandez është “rregulluar” për të futur fshehurazi emigrantët në Britani me tragete.

Kjo lloj “rruge e re” e zbuluar, iu kushton emigrantëve rreth 2 500 paund më pak për person se rruga tradicionale. Ndërsa rruga nga Kanali Anglez me një varkë të vogël kushton mesatarisht 5 000 deri në 5 500 paund.

Një pjesëtarë i bandës i tha një gazetari të Telegraph se udhëtimet organizoheshin çdo ditë.

Kontrabandisti tha: “Emigranti duhet të shkojë në Dublin. Ne kemi çmimin prej 2500 paund nga Dublini në Angli. Është mënyrë 100 për qind e sigurt”. “Duhet të marrësh një ID false Evropiane që të mund të shkosh lehtësisht në Dublin.”

Nëse emigrantët që përcjellim ne pengohen në Dublin, këshillohen të “bëjnë tepër zhurmë dhe të kërkojnë azil”. Ai shtoi: “Për 12 orë, autoritetet do i lënë të lirë. Më pas vjen taksia dhe emigranti mund të shkojë menjëherë në Angli.”

Burime qeveritare e përshkruan lirinë e shqiptarëve për të lëvizur në kontinentin e Evropës si “një sfidë”. Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) ka shprehur më parë shqetësimin për përdorimin e Zonës së Përbashkët të Udhëtimit si një “rrugë tjetër” për në Mbretërinë e Bashkuar.

Aktualisht nuk kërkohen pasaporta për shtetasit e Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës që udhëtojnë midis dy vendeve. Transportuesit ajror dhe detar thonë se kërkojnë një formë identifikimi. Sidoqoftë, dokumentet nuk kontrollohen gjithmonë.

Irlanda nuk është në zonën Shengen të BE-së, por pranon ID-të e BE-së si dhe pasaportat. Një zëdhënës i NCA tha: “Krimi i organizuar i imigracionit është një kërcënim kronik, shkalla dhe kompleksiteti i të cilit evoluon gjatë gjithë kohës.

“NCA punon për të synuar dhe penguar dëmin më të madh të grupeve të krimit të organizuar në çdo fazë të aktivitetit të tyre – në vendet nga kanë origjinën, në vendet tranzit, pranë kufirit me MB dhe ato që veprojnë brenda vetë MB.

“Ne gjithashtu punojmë me partnerë duke përfshirë zbatimin e kushteve të sigurisë së imigracionit, policinë, për të mbështetur hetimet”, shtoi ai.