Rrahman H., 60 vjeç, i dyshuar për vrasjen e Sylë D., 59 vjeç, në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë, ka një të kaluar të rëndë penale në Zvicër. Sipas gazetës zvicerane “Blick”, në vitin 2013 ai u dënua me 19 vjet burgim për vrasjen e bashkëshortes së tij, ndërsa mediat raportojnë se ka vuajtur vetëm 13 vjet.
Ngjarja e rëndë kishte ndodhur në fund të vitit 2011 në St. Gallen të Zvicrës. Atje Rrahman H. e kishte goditur fillimisht bashkëshorten me veturë dhe më pas e kishte sulmuar me një mjet të rëndë metalik, duke e lënë të vdekur në vendngjarje.
Të lidhura
None found
Sipas vendimit të Gjykatës Federale të Zvicrës, ai e kishte pritur gruan pranë vendit të saj të punës. Kur ajo po ecte në trotuar, ai e kishte goditur qëllimisht me automjet, me shpejtësi deri në 90 kilometra në orë.
Më pas, nga bagazhi i veturës kishte marrë një çelës për ndërrimin e gomave, të cilin e kishte zgjatur me një tub hekuri, dhe e kishte goditur disa herë në kokë bashkëshorten. Ajo kishte ndërruar jetë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Sipas gjykatës, motivi i kësaj vrasjeje lidhej me ndarjen e çiftit dhe lidhjen e re të bashkëshortes. I dënuari ishte ndier i poshtëruar dhe i fyer, pasi ajo nuk kishte pranuar të kthehej tek ai.
Gjatë procesit gjyqësor, Rrahman H. ishte përpjekur ta justifikonte veprimin duke u thirrur në prejardhjen e tij kulturore dhe duke pretenduar se donte të mbronte moralin e vajzës së tij 15-vjeçare. Në proces ishte përmendur edhe Kanuni, por ekspertët kishin vlerësuar se ky argument shërbente si alibi. Gjykata Federale nuk e pranoi këtë arsyetim dhe e cilësoi motivin si veçanërisht të dënueshëm.
Dënimi prej 19 vjetësh u dha në maj të vitit 2013. Ai u konfirmua më pas nga instancat e tjera gjyqësore, përfshirë Gjykatën Federale në shtator të vitit 2014.
Sipas mediave zvicerane dhe raportimeve nga Kosova, Rrahman H. dyshohet se kreu vetëm 13 vjet nga dënimi 19-vjeçar dhe më pas u kthye në Kosovë.
Megjithatë, ende nuk janë sqaruar rrethanat dhe procedurat që e mundësuan kthimin e tij në Kosovë. Autoritetet e St. Gallenit nuk kanë dhënë deri tani një konfirmim zyrtar për kohëzgjatjen e vuajtjes së dënimit.
Vrasja e fundit ndodhi më 18 nëntor në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë. Sipas hetimeve fillestare, pas një mosmarrëveshjeje për një vendparkim, i dyshuari qëlloi disa herë me armë zjarri ndaj Sylë D.
Raportimi i mediave zvicerane tregon se ai kishte shtënë fillimisht përmes xhamit të veturës dhe më pas kishte vazhduar të qëllonte edhe pasi kishte hapur dyert e automjetit. Në momentin e ngjarjes, në veturë ndodheshin bashkëshortja dhe vajza e viktimës, të cilat u bënë dëshmitare të vrasjes.
Pas krimit, i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes, por u arrestua më vonë nga Policia e Kosovës. Gjykata Themelore në Prizren i caktoi atij një muaj paraburgim, ndërsa hetimet për rastin vijojnë.
Për rastin e fundit, ndaj të dyshuarit vlen parimi i prezumimit të pafajësisë.





