Policia e Berlinit njoftoi të hënën se një incident zjarri ka përfshirë një nënstacion elektrik, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë mundësinë që bëhet fjalë për një akt të ri sabotimi kundër infrastrukturës energjetike gjermane.
Flakët u ndezën në zonën Moabit të kryeqytetit gjerman, duke shkaktuar dëme në një zonë ndërtimi dhe në një seksion të nënstacionit elektrik, sipas një komunikate të shpërndarë nga policia përmes WhatsApp.
Të lidhura
None found
Autoritetet konfirmuan se furnizimi me energji elektrike nuk është ndërprerë dhe hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse shkaku ishte një akt i qëllimshëm zjarrvënieje apo një avari teknike.
Në kuadër të këtij hetimi, forcat e rendit janë vënë në ndjekje të një shtetasi 48-vjeçar, të cilin e cilësojnë si një aktivist “ekstremist” të çështjeve klimatike dhe që mendohet të jetë përgjegjës për një sërë sulmesh. Dyshohet se ai ka pranuar autorësinë e këtyre akteve në dy letra dërguar mediave vendase.
Ndërkohë, prokurorët në Saksoni bënë të ditur sot se gjatë operacioneve hetimore për sulmet në rrjetin energjetik janë zbuluar gjithsej 21 pajisje shpërthyese të vendosura pranë linjave të tensionit të lartë. Të gjitha mjetet janë çaktivizuar me sukses dhe hetimet po thellohen më tej.
Vitet e fundit, Gjermania është përballur me një shtim të ndjeshëm të tentativave për sabotim dhe sulmeve hibride që synojnë sektorin e saj energjetik. Një pjesë e këtyre akteve i vishen grupeve të ekstremit të majtë apo ambientalistëve, ndërsa disa të tjera lidhen me Rusinë.
Vetëm gjatë ditëve të fundit, disa objekte të ngjashme janë vënë në shënjestër në landet e North Rhine-Westphalia dhe Brandenburg.
