Një hetim penal është hapur në Spanjë pas plagosjes me armë zjarri të Toñit, e konsideruar orka më e vjetër në ujërat iberike. Kafsha u gjet me disa vrima plumbash në pendën dorsale.
Të lidhura
None found
Shenjat e plagëve u konstatuan muajin e kaluar nga ambientalistët, të cilët njoftuan autoritetet për rastin. Më 2 shtator, Ministria spanjolle e Mjedisit ia përcolli çështjen prokurorisë. Personat përgjegjës mund të ndëshkohen me gjoba që arrijnë deri në 2 milionë euro.
Hetimet po kryhen nga Njësia Qendrore e Operacioneve Mjedisore e Guardia Civil dhe përqendrohen te një anije me flamur spanjoll, që dyshohet se është parë duke hapur zjarr në ujërat portugeze. Autoritetet po verifikojnë nëse ekuipazhi ka qëlluar Toñin, si edhe arsyen që mund të ketë çuar në këtë veprim.

Janek Andre, themelues i WeWhale dhe bashkëthemelues i Iberian Orca Guardians, thotë se një nga pistat është që një marinar ta ketë qëlluar orkën për hakmarrje ose për ta larguar, pasi ajo mund të ketë pasur kontakt fizik me një varkë. Sipas tij, peshkatarët mund të kenë përdorur armën për të penguar kapjen e peshkut, ndërsa një motiv tjetër mund të ketë qenë thjesht inati.
Ditët e fundit, Toñi është vërejtur në brigjet e Galicisë, ku ka lëvizur dhe është ushqyer bashkë me grupin e saj. Ambientalistët bëjnë të ditur se plagët po shërohen mirë, por copëzat e plumbave kanë mbetur në pendët e saj. Kjo gjendje rrit rrezikun e infeksionit të gjakut dhe sepsës.
Rasti i Toñit shihet si veçanërisht i rëndësishëm për të ardhmen e orkave në ujërat iberike, një popullatë që është tkurrur ndjeshëm ndër vite. Nga rreth 60-70 kafshë në vitet 1990, numri i tyre ka zbritur sot në vetëm 27.

Si një prej matriarkeve më të vjetra ende gjallë, Toñi ka rol kyç në grupin e saj. Ajo udhëheq lëvizjet e tufës dhe ndihmon në përcjelljen e sjelljeve dhe kulturës te orkët e tjera.

Plagosja ka rikthyer në vëmendje edhe marrëdhënien problematike mes orkave dhe anijeve në ujërat iberike. Që prej vitit 2020, këto kafshë janë përfshirë në disa ndërveprime me varkat, gjatë të cilave kanë dëmtuar timonët dhe, në raste të caktuara, kanë shkaktuar fundosjen e mjeteve lundruese.
Megjithatë, Andre thekson se këto episode nuk duhen cilësuar si sulme. Ai i përshkruan ato si sjellje sociale dhe të nxitura nga kurioziteti, duke kujtuar se njerëzit ndodhen në habitatin natyror të orkave.
Ekspertët u rekomandojnë marinarëve të lundrojnë në ujëra të cekëta për të pakësuar mundësinë e takimeve me orkët, të cilat zakonisht qëndrojnë në thellësi prej 50 deri në 70 metrash. Sipas tyre, lëvizja pranë bregut, në zona me më pak se 20 metra thellësi, mund ta ulë ndjeshëm rrezikun e ndërveprimeve.
“Ata kanë nevojë për mbrojtje, jo për hakmarrje”, shprehen ambientalistët, ndërsa autoritetet vijojnë punën për identifikimin e personave që plagosën Toñin.
