Pas shkëmbimit të zjarrit pranë Ngushticës së Hormuzit gjatë ditëve të fundit, Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë pranuar të ulin përkohësisht tensionet.
Një zyrtar i administratës së presidentit Donald Trump bëri të ditur se, për momentin, të dyja palët do të tërhiqen, çka do të mundësojë lëvizjen e lirë të anijeve në këtë korridor detar me rëndësi strategjike.
Të lidhura
None found
“Të dyja palët do të tërhiqen për momentin dhe anijet mund të lëvizin lirshëm”, deklaroi zyrtari amerikan.
Megjithatë, ende nuk ka qartësi mbi pozicionin zyrtar të Iranit për këtë zhvillim dhe nëse Teherani e konsideron këtë si një mirëkuptim të përkohshëm të arritur.
Një tjetër zyrtar amerikan konfirmoi ndërkaq se delegacionet e SHBA-së dhe Iranit do të takohen të martën në Doha të Katarit, ku pritet të shqyrtojnë hapat e radhës për zbutjen e tensioneve dhe për të shmangur një përshkallëzim të ri.
Ngjarjet e fundjavës testuan marrëveshjen e brishtë midis dy vendeve. Presidenti Donald Trump paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin veprime të tjera ushtarake në rast se Irani vazhdon sulmet, ndërsa autoritetet iraniane thanë se çdo shkelje e armëpushimit do të “rezultojë në ndalimin e plotë të të gjitha proceseve diplomatike”.
Takimi i së martës në Doha konsiderohet si një përpjekje për të rikthyer dialogun dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës në rajonin e Gjirit.
