Serat me kanabis në Berat, Gjykata cakton arrest në burg për 9 persona,

Me kërkesë të SPAK, GJKKO ka firmosur 9 urdhër arreste për një grup kriminal që merrej me kultivimin e drogës në sasi të mëdha në Berat, ku u zbuluan 8 dynym sera të mbjella me kanabis.

Prej tyre janë ekzekutuar 6 masa sigurie, kurse tre persona janë ende nën hetim.

Njoftimi i prokurorisë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të ndjekjes penale të procedimin penal Nr.5, viti 2023, paraqiti para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj 9 (nëntë) personave.

Me vendimin Nr.41, datë 22.04.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj 9 (nëntë) personave nën hetim.

Në datën 24.04.2024, hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, në bashkëveprim me oficerë të policisë gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ekzekutuan masat e sigurimit personal “arrest në burg” ndaj 6 (gjashtë) personave nën hetim, konkretisht:

– S.H. banues në Koplik, Malësi e Madhe;

– A.V. banues në Drenovicë, Berat;

– M.M. banues në Gruemirë, Malësi e Madhe;

– L.B. banues në Demiraj, Malësi e Madhe;

– S.S. banues në Demiraj, Malësi e Madhe;

– A.Ç. banues në Vodëz, Kuçovë, Berat,

Ndërkohë është bërë shpallja në kërkim për 3 (tre) persona të tjerë, ku gjatë kontrolleve nuk është bërë e mundur gjetja e tyre dhe ekzekutimi i vendimit të gjykatës për caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”.


Shtuar 25.04.2024 15:54

Tags: ,