Me përfundimin e afatit të masave lehtësuese të vendosura nga Brukseli për zbatimin e Sistemit të Hyrje-Daljeve, EES, udhëtarët që shkojnë drejt Bashkimit Europian mund të përballen përsëri me pritje të gjata në pikat kufitare.
Të lidhura
None found
Afati përfundoi më 6 shtator, ndërsa kompanitë ajrore i kanë kërkuar Komisionit Europian që ta shtyjë atë deri në fund të vitit. Sipas disa burimeve të cituara nga “The Guardian”, disa vende anëtare mund të zgjedhin rikthimin gradual të kontrolleve biometrike.
Pavarësisht shqetësimeve, gjatë sezonit veror shumica e aeroporteve europiane nuk u përballën me pritje të papërballueshme. Në skenarin më negativ, disa pasagjerë humbën fluturimet. Sektori i aviacionit vlerëson se situata kaotike u shmang falë lehtësimit të rregullave për mbledhjen e të dhënave biometrike, përfshirë gjurmët e gishtërinjve të shtetasve që vijnë nga vende jashtë BE-së.
Luke Petherbridge, drejtor i çështjeve publike në Abta, entin tregtar të industrisë së udhëtimeve në Mbretërinë e Bashkuar, deklaroi se organizata po vijonte t’i kërkonte Komisionit Europian zgjatjen e pezullimit të kontrolleve kufitare edhe pas shtatorit. Sipas tij, kjo kërkesë lidhet me faktin se “ka ende shumë rrugë për të bërë derisa EES-ja të jetë në funksionim në të gjitha vendet pjesëmarrëse”.
Pajisjet e nevojshme për regjistrimin e të dhënave biometrike nuk janë ende tërësisht funksionale në disa prej pikave kryesore të lëvizjes mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës. Këtu përfshihen Eurotunnel, Porti i Doverit dhe terminali Eurostar në St Pancras.
