Familja shqiptare Manati, me prejardhje nga Lushnja, është përballur me një tragjedi në Jacksonville të Floridës. Tre fëmijë humbën jetën mëngjesin e 26 gushtit, pasi shtëpia ku banonin u përfshi nga zjarri.
Mes viktimave janë dy binjakë të moshës 11-vjeç dhe një fëmijë 2-vjeçar. Nga flakët mundën të shpëtonin prindërit dhe dy fëmijët e tjerë të familjes, një foshnjë 2-muajshe dhe një 9-vjeçar, të cilët u transportuan në spital në gjendje kritike.
Të lidhura
None found
Daja i fëmijëve tha se njoftimin për ngjarjen e rëndë e mori nga xhaxhai i tij i vogël.
Gjatë një interviste në emisionin “Me Zemër të Hapur”, ai foli për dhimbjen pas lajmit tragjik, si edhe për faktin se emigrimi e kishte penguar t’i shihte nipërit prej vitesh.
Ai tregoi se po pret të udhëtojë drejt SHBA-së, ndërsa theksoi se nipërit arritën moshën 11-vjeç pa i parë as në momentin kur lindën, për shkak të ndarjes nga emigrimi. Tashmë, siç u shpreh ai, po shkon për t’i futur në dhe.
Sipas rrëfimit të dajës, dyshimet janë se flakët mund të jenë shkaktuar nga një lodër e blerë për fëmijët, e cila ishte lënë gjatë natës në karikim.
Ai deklaroi se bateria e lodrës shpërtheu, teksa po karikohej gjatë natës dhe se prej saj ndodhi gjithçka.
Daja bëri të ditur gjithashtu se nuk ka arritur ende të komunikojë me motrën e tij, nënën e fëmijëve, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike në të cilën ajo ndodhet pas tragjedisë.
Sipas tij, si motra ashtu edhe fëmijët janë të traumatizuar. Ai shtoi se ajo nuk e përballon dot ardhjen e natës dhe momentin kur bie errësira.
