Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vala ekstreme e të nxehtit që ka goditur Evropën ka lënë mbi 1,300 viktima që prej 21 qershorit, ndërsa disa shtete të kontinentit kanë regjistruar temperatura rekord.
Kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, e përshkroi stresin nga nxehtësia si një “vrasës i heshtur”, duke nënvizuar se banesat, shkollat dhe ambientet e punës në Evropë nuk janë projektuar për kushte kaq të larta temperaturash.
Të lidhura
None found
Evropa, sipas OBSH-së, është rajoni që po ngrohet më shpejt në botë, me një ritëm dyfish më të lartë se mesatarja globale. Organizata thekson se episodet e nxehtësisë ekstreme, të lidhura me ndryshimet klimatike, po shfaqen gjithnjë e më shpesh.
Në Gjermani, të dielën u shënua temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në vend, 41.7 gradë Celsius, në zonën e Coschen, pranë kufirit me Poloninë. Rekorde të reja u raportuan edhe në Poloni, ku temperatura arriti 40.5 gradë Celsius, si edhe në Republikën Çeke, me 41.1 gradë Celsius.
Pasojat e valës së të nxehtit janë të ndjeshme edhe në Francë. Autoritetet shëndetësore bënë të ditur se që nga e mërkura janë regjistruar rreth 1,000 vdekje më shumë se zakonisht, kryesisht te personat mbi 65 vjeç. Në të njëjtën kohë, Ministria e Brendshme raportoi se të paktën 74 persona janë mbytur që nga nisja e kësaj vale të nxehti, shumica në lumenj, liqene dhe hapësira ujore të pambikëqyrura.
Përballë temperaturave të larta, disa vende të Evropës kanë ndërmarrë masa të veçanta. Në Holandë u anulua festivali muzikor Defqon.1, ndërsa në Paris u ndaluan përkohësisht disa aktivitete publike dhe u vendosën kufizime për të ulur presionin mbi shërbimet e urgjencës.
Meteorologët sqarojnë se kjo valë rekord e të nxehtit lidhet me fenomenin e quajtur “kupola e nxehtësisë”, një masë ajri të nxehtë që mbetet e bllokuar mbi një zonë të caktuar, duke rritur temperaturat dhe duke penguar krijimin e reve, gjë që favorizon vapën ekstreme.
