Vala e të nxehtit ka ndikuar drejtpërdrejt në festimet e Ditës së Pavarësisë në Shtetet e Bashkuara, duke i detyruar autoritetet në disa shtete të anulojnë ose të ndërpresin një sërë veprimtarish publike për shkak të rrezikut që paraqitej për shëndetin e qytetarëve.
Të lidhura
None found
Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, mbi 165 milionë banorë janë përballur me temperatura shumë të larta në zonat e Bregut Lindor dhe Midëest-it, ndërsa në disa rajone termometri ka shkuar pranë niveleve rekord historikë. Kushtet atmosferike janë vlerësuar si të rrezikshme, veçanërisht për aktivitetet që zhvillohen në hapësira të jashtme.
Si pasojë e kësaj situate, në shtete si Pennsylvania, New Jersey, Maryland dhe Colorado u anuluan disa parada dhe aktivitete festive. Mes ngjarjeve më të goditura nga moti ishte edhe parada tradicionale në Philadelphia, e cila konsiderohet një nga veprimtaritë kryesore të 4 Korrikut.
Edhe në Washington DC, ku po mbaheshin aktivitetet për 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së, një panair i madh u mbyll përkohësisht pasi disa pjesëmarrës shfaqën probleme shëndetësore për shkak të temperaturave të larta. Mediat amerikane raportuan se disa persona u dërguan me autoambulancë për të marrë ndihmë mjekësore.
Në Washington DC dhe në qytete të tjera, autoritetet lëshuan paralajmërime për rrezik të lartë nga temperaturat ekstreme, duke u kërkuar qytetarëve të shmangin ekspozimin e zgjatur në diell, të pijnë sa më shumë lëngje dhe të kufizojnë aktivitetin fizik gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Për shkak të masave të sigurisë, disa aktivitete zyrtare u shtynë ose u zhvilluan me orare të ndryshuara. Meteorologët kanë paralajmëruar se vala e të nxehtit pritet të vijojë edhe në ditët e ardhshme, ndërsa në disa zona mbetet i pranishëm rreziku për stuhi të forta.
