Në Erfurt, mijëra persona kundër Alternativës për Gjermaninë dolën në protestë ndaj kësaj partie të ekstremit të djathtë, duke bllokuar hyrjen e ndërtesës ku po zhvillohej Kongresi i saj.
Të lidhura
None found
Autoritetet bënë të ditur se rreth 15 mijë qytetarë morën pjesë në demonstratat e mbajtura në Erfurt dhe zonat përreth, ndërsa për mbarëvajtjen e konferencës dyditore policia angazhoi forca të shumta nga e gjithë Gjermania. Në tubime u përfshinë sindikata, organizata të shoqërisë civile dhe parti të majta.
“Duam ta bëjmë të qartë se nuk do ta tolerojmë rritjen e fashizmit në Gjermani”, u shpreh Georg Becker, zëdhënës i grupit kundër AfD-së, “Widersetzen” apo “Rezistoni”.
Kjo mbledhje e AfD-së po mbahet në një moment kur partia rezulton në krye në disa sondazhe kombëtare. Alice Weidel dhe Tino Chrupalla, që drejtojnë aktualisht forcën politike, pritet të rizgjidhen, ndërsa zgjedhjet e ardhshme në disa lande lindore shihen si kyçe për synimet e saj politike.
AfD, e krijuar më shumë se një dekadë më parë, ka arritur të zgjerojë ndjeshëm mbështetjen përmes retorikës nacionaliste, kërkesave për masa më të forta ndaj emigracionit, si edhe pakënaqësisë së votuesve me qeveritë e njëpasnjëshme dhe stanjacionin ekonomik.
Partia akuzohet nga kundërshtarët se nxit politika raciste dhe dëmton vlerat demokratike të Gjermanisë. Ndërkohë, forcat tradicionale politike vijojnë të refuzojnë çdo bashkëpunim me të përmes strategjisë së njohur si “fireëall”, e cila synon ta mbajë AfD-në jashtë qeverisjes.
Sondazhet më të fundit tregojnë se AfD ka rreth 29 për qind mbështetje në nivel kombëtar, ndërsa blloku konservator CDU/CSU i kancelarit Friedrich Merz renditet me 22 për qind. Në Saksoni-Anhalt, partia kryeson me 41 për qind të mbështetjes dhe synon të dalë fituese, ndërsa shpreson të bëhet forca më e madhe politike edhe në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore.
