Jared Kushner, i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme, ka mbërritur në Izrael, ku pritet të zhvillojë një takim me kryeministrin Benjamin Netanyahu.
Të lidhura
None found
Udhëtimi i tij pason bisedimet e pazakonta me Hamasin, të zhvilluara në kuadër të përpjekjeve për zbatimin e planit të paqes për Gazën, i cili mbështetet nga SHBA-ja. Bordi i Paqes, i drejtuar nga Trump, njoftoi muajin e kaluar një marrëveshje që parashikon çarmatimin e plotë të Hamasit dhe të grupeve të tjera të armatosura në Gaza.
Izraeli e ka kundërshtuar planin 15-pikësh të presidentit amerikan. Krahas çarmatimit, propozimi përfshin largimin e trupave izraelite dhe rindërtimin e Gazës nën drejtimin e një administrate të re civile palestineze.
Refuzimi i planit nga shteti hebre u dënua nga tetë vende myslimane. Një zyrtar palestinez bëri të ditur se Kushner u takua të dielën në Egjipt me një delegacion të Hamasit, të kryesuar nga udhëheqësi i ri i grupit, Khalil al-Hayya.
Sipas BBC-së, Hamasi u kërkoi ndërmjetësve dhe Bordit të Paqes që ta detyrojnë Izraelin të pranojë planin për fazat e ardhshme. Ndërkohë, Netanyahu përballet me zgjedhje të vështira në tetor, si dhe me trysni nga koalicioni qeverisës, pjesë e të cilit janë ministra që kërkojnë një linjë më të ashpër ndaj Gazës. Gjithashtu, shumë izraelitë dyshojnë nëse Hamasi është vërtet i gatshëm të dorëzojë armët.
Biseda mes Kushnerit dhe al-Hayya vlerësohet si kontakti i nivelit më të lartë ndërmjet palëve që prej marrëveshjes së armëpushimit në Gaza vitin e kaluar. Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Bordit të Paqes, Egjiptit, Katarit dhe Turqisë, vende që kanë luajtur rol ndërmjetësues në përpjekjet për paqe.
Raportimet tregojnë se në qendër të diskutimeve ishin çarmatimi i Hamasit, tërheqja e forcave izraelite dhe dërgimi i ndihmave humanitare. Megjithatë, deri tani nuk është bërë publike asnjë deklaratë zyrtare mbi përfundimet e takimit.
