Me fitoren 2-1 në transfertë ndaj Mitrovicës në ndeshjen e mbetur të javës së tetë, Liria e Prizrenit është shpallur zyrtarisht kampione e stinorit vjeshtor në Ligën e Parë të Kosovës.
Skuadra prizrenase mori tri pikë me shumë vlerë në një takim që u zgjidh vetëm në minutat e fundit. Fitim Susuri kaloi në avantazh Lirinë në minutën e 39-të, por Rasheed Salami riktheu baraspeshën në fillim të fraksionit të dytë.
Të lidhura
None found
Kur dukej se sfida po mbyllej në barazim, Neki Likaj realizoi golin e fitores në minutën e 80-të, duke i siguruar Lirisë tri pikët që konfirmuan vendin e parë në renditje.
Pas 16 xhirove të luajtura, Liria udhëheq klasifikimin me 39 pikë, gjashtë më shumë se Prishtina e Re që ka 33. Në pozitën e tretë qëndron Ferizaj me 30 pikë të grumbulluara.
Para përfundimit të pjesës vjeshtore ka mbetur edhe një javë. Liria do të ndeshet me Rilindjen 1974, ndërsa Prishtina e Re do të udhëtojë për t’u përballur me Ferizajn. Ky duel mes dy ndjekësve kryesorë mund t’i japë Lirisë mundësi që ta rrisë edhe më tej distancën nga rivalët.
Nën drejtimin e Ismet Munishit, Liria po zhvillon një sezon mjaft të suksesshëm dhe duket se kryesia e re, bashkë me stafin teknik, kanë arritur të kompensojnë mangësitë e sezonit paraprak.
Munishi zgjodhi të vazhdonte projektin në Prizren me një objektiv të qartë: ta kthejë klubin me traditë në mesin e elitës së futbollit kosovar. Deri tani, rezultatet tregojnë se ekipi është në rrugën e duhur për ta arritur këtë synim.
Në 15 ndeshjet e para të kampionatit, Liria ka fituar 11 herë, ka barazuar në tri raste dhe ka pësuar vetëm një disfatë. Prizrenasit kanë shënuar 27 gola dhe kanë lejuar vetëm shtatë, duke u renditur si mbrojtja më e fortë e ligës.
Në aspektin sulmues, Drin Ymeri kryeson listën e golashënuesve të Lirisë me gjashtë realizime, ndjekur nga Fitim Susuri me pesë gola.
Me gjashtë pikë avantazh ndaj ndjekësit më të afërt dhe me një bilanc tejet pozitiv, Liria po e përfundon fazën vjeshtore në krye, ashtu siç i ka hije një skuadre me ambicie të qarta për t’u ngjitur sërish në Superligë.





