Një tragjedi e rëndë familjare ka goditur një futbollist argjentinas që luan në kategorinë e dytë të Venezuelës, pasi bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij figurojnë të zhdukur pas tërmeteve shkatërruese që tronditën vendin javën e kaluar.
Lucas Trejo, pjesë e Club Sport Marítimo La Guaira, po kalon ditë të mbushura me ankth mes shpresës dhe dëshpërimit, ndërsa kërkon nën rrënoja gruan e tij Yanina dhe dy fëmijët e tyre, Aarón dhe Ainhoa. Banesa e familjes u shemb në zonën bregdetare të La Guaira, një prej rajoneve që u goditën më rëndë nga kjo fatkeqësi.
Të lidhura
None found
Sipas të afërmve, lojtari ndodhet në një gjendje të rënduar emocionale, ndërsa nga shtëpia ku jetonte familja thuajse nuk ka mbetur më asgjë. Aksionet e kërkim-shpëtimit janë ende në vijim, megjithatë me kalimin e orëve po veniten edhe shpresat për të gjetur të mbijetuar.
Në momentin kur ndodhën tërmetet, Trejo ishte me skuadrën në një kamp stërvitor në Karakas. Ai u nis menjëherë drejt shtëpisë, por aty u përball me një pamje të shkatërrimit të plotë. Familjarët kanë deklaruar se “nuk ka mbetur asgjë”, duke nënvizuar se operacionet e kërkimit po zhvillohen me mjete të kufizuara dhe me ndihmë të pamjaftueshme.
Edhe klubi i tij ka reaguar duke shprehur ngushëllime dhe solidaritet për futbollistin. Përmes një mesazhi mbështetës dhe publikimit të një fotografie familjare, klubi ka bërë të ditur se e gjithë skuadra është angazhuar për ta ndihmuar në këtë periudhë të vështirë.
Sipas autoriteteve, tërmetet e forta kanë lënë mbi 1,400 viktima dhe mijëra të zhdukur, duke u cilësuar ndër më shkatërruesit në historinë e Venezuelës. Ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë punën në terren, pas 72 orëve të para gjasat për të gjetur të mbijetuar po zvogëlohen ndjeshëm.
