Kontinenti europian është përfshirë nga një valë e ashpër të nxehti, ndër më të fortat e viteve të fundit, e shoqëruar me temperatura rekord, humbje jetësh, zjarre të përmasave të mëdha dhe vështirësi të ndjeshme në transport e shërbime.
Në disa shtete, institucionet kanë aktivizuar gjendjen e alarmit, ndërsa specialistët e motit paralajmërojnë se pas temperaturave përvëluese mund të vijnë stuhi intensive dhe fenomene të tjera ekstreme atmosferike.
Të lidhura
None found
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bën të ditur se nga 21 qershori në Europë janë shënuar mbi 1.300 vdekje shtesë të lidhura me temperaturat shumë të larta.
Në Francë, autoritetet shëndetësore kanë njoftuar se vetëm prej së mërkurës së javës së kaluar janë regjistruar rreth 1.000 viktima më shumë se mesatarja normale. Shifra mund të rëndohet më tej pasi të përfundojë verifikimi i të gjitha certifikatave të vdekjes. Në Paris dhe në zonat përreth, morgjet po u afrohen kufijve maksimalë të kapaciteteve, ndërkohë që qeveria franceze ka mbajtur takime të posaçme për të analizuar pasojat e vapës dhe masat që duhen parashikuar për situata të ngjashme në të ardhmen.
Temperatura historike janë regjistruar edhe në Çeki, Gjermani dhe Poloni. I nxehti ka sjellë probleme të shumta në rrjetin hekurudhor, ku janë raportuar vonesa, pasagjerë të bllokuar dhe sisteme kondicionimi që nuk po përballojnë dot vlerat pranë 40 gradë Celsius.
Në Gjermani, autoritetet po përballen paralelisht me zjarre të mëdha pyjore. Në Berlin, policia ka përdorur topa uji për të freskuar qytetarët e mbledhur në ambiente publike. Në disa zona, ndërhyrjet për shuarjen e flakëve janë bërë më të vështira për shkak të municioneve të pashpërthyera që kanë mbetur nga Lufta e Dytë Botërore, çka ka detyruar edhe evakuimin e banorëve.
Italia, nga ana tjetër, po pret kulmin e kësaj vale të nxehti, me temperatura që parashikohet të shkojnë deri në 41 gradë Celsius në Luginën e Posë dhe në 37–39 gradë në pjesën më të madhe të vendit. Sipas meteorologëve, pas kësaj periudhe pritet hyrja e masave ajrore më të freskëta nga Atlantiku, të cilat mund të shkaktojnë stuhi të forta, reshje të dendura, breshër dhe erëra të fuqishme, fillimisht në veri e më pas në rajonet qendrore dhe jugore.
