Një shtetas britanik është vënë në pranga në Ekuador, pasi dyshohet se qëndron pas vrasjes së një influencueseje kolumbiane, një ngjarje që ka shkaktuar reagim të madh si në Amerikën e Jugut ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Autoritetet kolumbiane akuzojnë Matthew Ashley Foster-Smith, 46 vjeç, nga Britania, se ka vrarë Natalie Villalba, 36 vjeçe, në Bogota më 18 qershor. Sipas akuzës, ai më pas është përpjekur të fshehë krimin duke futur trupin e saj në një valixhe dhe duke u larguar nga vendi i ngjarjes.
Të lidhura
None found
Trupi i viktimës u zbulua disa ditë më pas në hotelin ku ajo po qëndronte. Sipas aktakuzës, pastrueset e godinës hynë në dhomë më 21 qershor, pasi afati i qirasë kishte përfunduar. Hetuesit dyshojnë se ajo është rrahur deri në vdekje dhe se trupi është fshehur më pas për të zhdukur gjurmët e krimit.
Nga hetimet ka rezultuar se kamerat e sigurisë e kanë filmuar të dyshuarin në të njëjtën ndërtesë, teksa transportonte çarçafë drejt një lavanderie në ditët që pasuan vrasjen, element që ka forcuar dyshimet e prokurorisë.
Pas largimit fillestar nga Kolumbia, Foster-Smith u lokalizua në Ekuador. Ai u arrestua në një aeroport në Quito, në momentin kur po bëhej gati të nisej për në Britani. Ndaj tij ishte lëshuar më herët një urdhër arresti ndërkombëtar nga Interpoli, ndërsa Kolumbia e akuzon për vrasje dhe tentativë për të fshehur provat.
Gjatë marrjes në pyetje, 46-vjeçari ka mohuar çdo përfshirje në ngjarje. Ai ka pretenduar se në kohën kur ka ndodhur krimi ishte duke ndjekur një ndeshje futbolli në një bar, duke përmendur si alibi “Kampionatin Botëror” dhe lëvizjet e tij nëpër qytet, mes tyre vizita në një qendër tregtare dhe në një kafene.
Ai ka thënë gjithashtu se kishte marrë kërcënime me vdekje nga persona të paidentifikuar dhe se ishte duke u larguar nga vendi kur u ndalua nga autoritetet.
Sipas mediave britanike dhe raportimeve, i dyshuari ka pasur më parë precedentë penalë në Britani për vepra që lidhen me ngacmimin dhe sjelljen abuzive ndaj grave, përfshirë edhe raste të mëparshme që kanë çuar në burgim. Hetimet për këtë çështje vazhdojnë.
