Një shtetase britanike, 31 vjeçe, ka ndërruar jetë pasi u sulmua me thikë në një stacion hekurudhor në Gjermani.
Të lidhura
None found
Policia u njoftua për ngjarjen në orët e para të mëngjesit të së dielës, pasi në stacionin e trenit në Rosenheim, në Bavari, u raportua një grua e plagosur rëndë me thikë. Ajo u transportua me urgjencë në spital, por ndërhyrja e mjekëve nuk arriti t’i shpëtonte jetën dhe 31-vjeçarja vdiq pak më vonë.
Menjëherë pas sulmit, në ambientet e stacionit u arrestua një shtetas gjerman 27 vjeç, i cili dyshohet se është autori i ngjarjes.
Ende nuk dihet nëse viktima dhe i arrestuari kishin njohje të mëparshme. Policia gjermane po vazhdon hetimet për të sqaruar motivin dhe rrethanat në të cilat ndodhi sulmi.
Autoritetet u kanë kërkuar personave që ndodheshin në stacion gjatë orëve të para të mëngjesit dhe mund të kenë parë një debat ose përleshje fizike, që të kontaktojnë policinë.
Hetuesit po punojnë për të rindërtuar momentet që i paraprinë goditjes me thikë dhe për të zbuluar shkakun e përplasjes që çoi në vdekjen e britanikes 31-vjeçare.
