Berisha kërcënon Bashën: Më 5 janar lësho zyrën ose do të përballesh me pasoja

Krahas ultimatumit për të lëshuar zyrën më datë 5 janar, ish-kryeministri Sali Berisha bëri një paralajmërim të fortë ndaj Lulzim Bashës nëse nuk zgjedh të bëjë sipas kërkesës së tij.

Berisha tha te emisioni “A-Show” se Basha do të përballej me pasoja nëse i rezistonte sipas tij vullnetit të demokratëve.

“Lulzim Basha shpërbeu opozitën në Shqipëri. Nuk di të tjerë që të jenë për një opozitë false. Basha në parti ka 5-6%, nuk ka mbështetje. Lulzim Basha është peng dhe kur je peng, të diktojnë çdo qëndrim dhe nuk të lenë të marrësh asnjë përgjegjësi. Ai e ka të qartë se 2000-ja nuk është 5000. Ai detyrohet të mbushë sallën me punonjës të instituteve, që nuk kanë asnjë lidhje me PD-në. Ai dhe Rama kanë marrë peng pluralizmin politik në vend.

Një pakicë që vihet kundër shumicës është bandisteske ose terroriste. Prapa meje qëndron shumica e demokratëve. Anëtarësia e ka shkarkuar Bashën, sepse anëtarësia është përmbaruesi.

Anëtarësia i thotë se zyra nuk është e juaja, por do administrohet nga Komisioni, ju jeni thjesht deputet. Unë iu bëj thirrje njerëzve që janë me Bashën, që të ikin nga ai”, deklaroi Berisha.


Shtuar 28.12.2021 22:12