Bashkëshorti mbetet jashtë testamentit të Brigitte Bardot, del letra e 4 viteve më parë për vuajtjet gjatë martesës

Testamenti i Brigitte Bardot nuk parashikonte asnjë trashëgimi për Bernard d’Ormale, bashkëshortin e saj prej 33 vitesh. Pas ndarjes nga jeta të aktores franceze në moshën 91-vjeçare, në dhjetor të vitit të kaluar, ai u detyrua të linte vilën La Madrague në Saint-Tropez.

Ndërkohë, një letër personale e vitit 2022, e botuar nga gazeta Le Figaro, ka nxjerrë në pah pakënaqësitë e thella të Bardot ndaj të shoqit. Në dokumentin e shkruar 4 vite më parë, ajo e akuzonte se e kishte rrënuar gradualisht për 30 vjet, duke shprehur zhgënjim për dashurinë dhe përkrahjen që i kishin munguar në martesë.

Të lidhura

None found

Në rreshtat e letrës përshkruhet një marrëdhënie e rënduar nga pakënaqësia. Bardot shprehte dëshirën për të pasur pranë dikë të dhembshur, që ta mbështeste dhe të përjetonte bashkë me të si çastet e lumtura, ashtu edhe dhimbjet.

Sipas The Times, aktorja shkruante se vuajtja e saj kishte mbërritur në kufirin më të skajshëm dhe se bashkëshortit i kishte dhënë gjithçka, përfshirë dashurinë dhe nevojën e thellë për një shok që t’ia kthente atë. Ajo kërkonte dikë që të ndante gëzimet e dhimbjen e saj të madhe dhe ta shoqëronte në rrugëtimin e fundit të jetës. Në letër përmendte lumturinë e çasteve të thjeshta së bashku: një kafe apo një gotë verë të kuqe me miqtë, një shëtitje me makinë për të larguar mendjen nga shqetësimet dhe një buzëqeshje për jetën që ajo i ofronte.

Edhe pse letra pasqyronte këto ndjenja, të dy qëndruan nën të njëjtën çati deri kur Bardot vdiq. D’Ormale kishte rrëfyer madje se, kur aktorja ishte shtruar në spital, ai kishte kaluar netët mbi një dyshek në dhomën e saj.

Pas publikimit të dokumentit, avokatja e tij, Aurélie-Caroline Vieugué, reagoi duke ngritur pikëpyetje mbi vërtetësinë e tij. Ajo tha se klienti i saj ishte thellësisht i tronditur nga letra, të cilën e përshkroi si jashtëzakonisht të dhunshme, dhe se ai nuk kishte pasur kurrë dijeni për ekzistencën e saj.

Si arsye tjetër për dyshimet, Vieugué përmendi mungesën e një margarite, shenjë me të cilën, sipas saj, Bardot zakonisht firmoste letrat. Megjithatë, avokatja nuk deklaroi se dokumenti ishte i falsifikuar.

Çështja e trashëgimisë i ka shtuar përmasat e përplasjes. Fondacioni i aktores thotë se largimi i d’Ormale nga La Madrague ishte përcaktuar në testament. Shumicën e pasurisë Bardot ia kishte lënë fondacionit të saj për mbrojtjen e kafshëve, kurse pjesën e mbetur djalit, Nicolas-Jacques Charrier.

Për d’Ormale, nxjerrja nga vila ishte një padrejtësi. Ai ka deklaruar se e kishin dëbuar nga vendi ku kishte jetuar për 35 vjet.

Nga ana e tij, fondacioni pohon se vila i përket organizatës që nga viti 1992. D’Ormale kishte mbajtur edhe detyrën e kryetarit të fondacionit për më pak se një vit, përpara se të largohej nga posti në shtator.

Letra, autenticiteti i së cilës është vënë në diskutim, së bashku me testamentin dhe mosmarrëveshjen për vilën ku jetoi për dekada, e kanë kthyer sërish në vëmendje historinë e Brigitte Bardot, një prej figurave më të njohura të kinemasë franceze.


Shtuar më 4.11.2026 19:57