Albana Koçiu: Të rinjtë dhe të miturit të mos përfshihen në dhunë për interesa politike

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar sërish lidhur me protestën që po vijon prej tri ditësh në Tiranë, duke kërkuar që të rinjtë dhe të miturit të mos përfshihen në episode dhune apo të përdoren në përplasje politike.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçiu shprehet e shqetësuar për situatën e krijuar në kryeqytet, veçanërisht për shkak të pranisë së të rinjve dhe të miturve në skenat e dhunshme.

Të lidhura

None found

Ajo thekson se siguria e fëmijëve nuk mund të vendoset në plan të dytë për shkak të asnjë konflikti politik, ndërsa nënvizon se çdo prind dëshiron ta shohë fëmijën e tij të kthehet shëndoshë e mirë në shtëpi.

“Pavarësisht bindjeve politike, të gjithë ndajmë të njëjtin shqetësim: sigurinë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.

Dhuna e shfaqur në rrugët e Tiranës është shqetësuese, veçanërisht kur në të përfshihen të rinj dhe të mitur.

Të rinjtë duhet të kenë mundësinë të protestojnë, të shprehin qëndrimet e tyre dhe të kërkojnë një të ardhme më të mirë. Megjithatë, askush nuk duhet t’i shtyjë drejt dhunës ose t’i shfrytëzojë për beteja politike.

Çdo prind dëshiron që, në fund të ditës, fëmija i tij të kthehet shëndoshë e mirë në shtëpi.

Asnjë përplasje politike nuk është më e rëndësishme se jeta, siguria dhe e ardhmja e fëmijëve tanë”, shkruan Koçiu në Facebook.


Shtuar më 15.10.2026 17:47