Institucioni i Avokatit të Popullit të Kosovës ka kundërshtuar interpretimet e Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke theksuar se krijimi i Zyrës së Avokatit të Popullit në Hagë nuk e përjashton kompetencën kushtetuese të institucionit kosovar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.
Të lidhura
None found
Ky reagim pasoi deklaratën e Dhomave të Specializuara të publikuar më 13 tetor 2026, me titull “Deklaratë e Dhomave të Specializuara të Kosovës: Ftesa nga Avokati i Popullit i Kosovës për Tryezë të Rrumbullakët”.
Sipas Avokatit të Popullit, deklarata u bë publike në të njëjtën ditë kur Dhomat e Specializuara pranuan përgjigjen zyrtare të institucionit, të cilën Avokati i Popullit ia kishte dërguar kryetares Ekaterina Trendafilova. Në këtë përgjigje ishin paraqitur argumentet ligjore për mandatin dhe kompetencat e Institucionit të Avokatit të Popullit.
Institucioni rikujton se, në letrën e datës 13 tetor 2026 drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara, ka shpjeguar qëndrimin e tij juridik dhe ka nënvizuar se Avokati i Popullit i Kosovës është krijuar me Kushtetutë. Për këtë arsye, ai ka mandat të përgjithshëm për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore.
“Mandati i këtij institucioni duhet të zbatohet në përputhje me Kushtetutën dhe instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat janë pjesë e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Në këtë kuadër, përgjegjësia ekskluzive e përcaktuar për Zyrën e Avokatit të Popullit në Hagë, mbi bazën e kuadrit përkatës kushtetues dhe ligjor, nuk nënkupton automatikisht përjashtimin e kompetencës së Institucionit të Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës për t’u angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në çështjet që lidhen me Dhomat e Specializuara.”
Avokati i Popullit sqaron se termi “përgjegjësi ekskluzive” duhet interpretuar si një detyrim i veçantë institucional për Zyrën e përcaktuar të Avokatit të Popullit, në mënyrë që ajo të ushtrojë funksionin e saj dhe të shërbejë si mekanizëm parësor e i domosdoshëm institucional kur rrethanat e një rasti kërkojnë ndërhyrje.
Si rrjedhojë, Institucioni i Avokatit të Popullit të Kosovës thekson se vazhdon ta ketë mandatin e përgjithshëm kushtetues për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në lidhje me ushtrimin e autoritetit publik, në përputhje me rendin kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës.
Institucioni kujton se, prej vitit 2021, ka adresuar në mënyrë të përsëritur shqetësime te Dhomat e Specializuara, edhe përmes korrespondencës zyrtare të mëvonshme, e cila nuk ka marrë përgjigje.
“Mungesa e vazhdueshme e një përgjigjeje shkakton shqetësime serioze për transparencën dhe krijon përshtypjen se informacioni mund të mbahet qëllimisht i fshehtë”, thuhet në përfundim të reagimit.






