Zëvendës ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, para disa ditësh, në një bisedë virtuale me përfaqësuesit më të lartë të politikës shqiptare, bëri thirrje për zgjedhje të lira e të ndershme dhe pranim të rezultatit të tyre, pavarësisht kush shpallet fituesi.
Lidhur me këto kërkesa, e hartoi pyetjen e tij, gazetari Sokol Balla drejtuar kryedemokratit Lulzim Basha në “Real Story”. Basha u përgjigj se të gjitha kërkesat e partnerëve do të zbatohen, por shtoi se më 25 prill, shqiptarët do të kërkojnë ndryshimin.
“Pa pikë diskutimi bejtja jonë për standardet zgjedhore, mesazhet e Palmer, e Kim, konvergojnë në një pikë, Shqipëria duhet të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, është mundësia e fundit për të kapur trenin Evropian. Zgjidhjet do të vijnë për shqiptarët, ju garantoj që më 25 prill me daljen masive të shqiptarëve më 25 prill, nevojën e shqiptarëve për ndryshim, ndjesia që katër vite më shumë se këto tetë vite është shkatërrimtare, siç është dhe shpresa që ne e kemi fuqinë të ringrihemi dhe të ecim përpara. Unë do e bëj këtë si kryeministër i përgjegjshëm. Angazhimet e këtij plani, që mundësojnë hapjen e Shqipërisë drejt Evropës, nëse këto angazhime nuk përmbahen, nuk kërkoj mandat të dytë”, tha Basha.