175 km/h në aksin Kavajë-Rrogozhinë, Policia ndëshkon të pabindurit (VIDEO)

Policia e Shtetit ka ndërmarrë një aksion të gjerë në rrugët e vendit për të ndëshkuar shoferët e pabindur.

Ndërkohë që një shoferë është kapur të lëvizte me shpejtësi 175 km/h në aksin Kavajë Rrogozhinë.

Në kuadër të këtij operacioni janë pezulluar 24 leje drejtimi dhe janë vendosur dhjetëra gjoba, kryesisht për shpejtësi tej normave të lejuara.

Gjithashtu janë vendosur edhe 54 gjoba nga 40 mijë lekë të vjetra për shkelje më të vogla.

NJOFTIMI I PLOTË:

Siguria rrugore, një ndër prioritetet kryesore të Policisë së Shtetit. Nga Rruga e Kombit deri në Sarandë, Policia Rrugore me radarë 24/7, për të parandaluar aksidentet rrugore. Policia Rrugore, në kuadër të rritjes së parametrave të sigurisë në fundjavë, duke qenë se në shumë akse rrugore ka fluks të lartë të qarkullimit të automjeteve, nisur dhe nga prezenca e lagështirës në rrugë për shkak të motit me shi, ka rritur prezencën e patrullave në rrugë, duke përdorur mjete të loguara dhe të paloguara, kamera, dronë dhe aparate fotografike. Gjithashtu, të gjitha akset nacionale nga Rruga e Kombit deri në Sarandë dhe qendrat kryesore urbane janë të monitoruara me radarë.

Gjatë monitorimit, edhe pse në kushte lagështire, janë konstatuar shumë drejtues mjetesh që kanë abuzuar me shpejtësinë, që ka variuar deri në 175 km/h në aksin Kavajë-Rrogozhinë, shpejtësi që sjell rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore. Prej mëngjesit të sotëm deri në orën 16:00 janë pezulluar për shpejtësi në rrugët interurbane, që varionte gati dyfish mbi normën e lejuar, 24 leje drejtimi, me afat pezullimi nga 1 muaj deri në 6 muaj. Për disa prej drejtuesve të mjeteve janë vendosur edhe masa administrative nga 10.000 lekë deri në 25.000 lekë të rinj.

Po gjatë monitorimit janë vendosur 54 masa për shpejtësi mbi normat e lejuara, pa sanksionin plotësues të pezullimit të lejes së drejtimit, por vetëm masa administrative deri në 4.000 lekë të rinj për secilin prej tyre. Policia e Shtetit, për shkak edhe të motit të keq me reshje shiu, apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos nxitojnë për të arritur në destinacion duke kryer parakalime të gabuara e manovra të rrezikshme në rrugë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse, pasi në të gjitha rrugët e vendit ka radarë dhe prezencë të Policisë Rrugore, të pajisur edhe me dronë, dragera, kamera e aparate fotografike. Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e profesional./albeu.com

 

[/video]