Tani ose asnjëherë”! Bytyçi i bën thirrje Kosovës t’i bashkohet protestave kundër Ramës: Shqipëria në buzë të greminës

Prej tri ditësh Shqipëria është përfshirë nga një valë e fuqishme protestash, me të rinjtë në epiqendër të revoltës. Ata po ngrenë zërin kundër klasës politike dhe po kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti.

Të lidhura

None found

Edhe gjatë ditës së djeshme, protestat vazhduan deri në orët e vona të mbrëmjes, me pjesëmarrje të gjerë të studentëve, prindërve dhe aktivistëve të shoqërisë civile. Gjatë tubimeve ka pasur përplasje të ashpra me forcat e rendit, të cilat kanë përdorur mjete të forta si shkopinj gome dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat.

Lëvizja nuk ka mbetur e izoluar vetëm në kryeqytet. Qytete të ndryshme të Shqipërisë i janë bashkuar protestës, teksa nxënës të shkollave të mesme dhe studentë universitetesh kanë lënë mësimin për të dalë në rrugë, duke kërkuar të drejtat e tyre dhe një perspektivë më të mirë për të ardhmen.

Parullat që kanë mbizotëruar nëpër tubime përfshijnë thirrje si “Rama, jep dorëheqjen!”, “Rama n’burg, Berisha n’burg” dhe “Ju erdhi fundi”, të cilat shprehin qartë pakënaqësinë e thellë të rinisë ndaj establishmentit politik shqiptar.

Gjatë trazirave janë shënuar edhe dëme të konsiderueshme materiale, përfshirë dëmtimin e infrastrukturës publike, djegien e disa institucioneve dhe bizneseve private. Dhjetëra protestues janë ndaluar nga autoritetet, në disa raste me përdorim force.

Megjithë tensionet dhe konfrontimet, pritet që revolta rinore të vazhdojë edhe sot, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kërkesat për ndryshim politik dhe dorëheqjen e Ramës do të marrin ndonjë reagim nga institucionet shtetërore.

Profesori dhe doktori Enver Bytyçi thekson se objektivi kryesor i kësaj proteste është pikërisht kryeministri.

Sipas tij, thelbi i protestës qëndron te dorëheqja e pakthyeshme e kryeministrit. “Kjo është dita e tretë që studentët dhe tashmë edhe nxënësit e gjimnazeve e shkollave të tjera i janë bashkuar një proteste të fuqishme kundër politikave antikombëtare dhe shkombëtarizuese të qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Target i kësaj proteste është vetë kryeministri. Studentët dhe rinia shqiptare kërkojnë një ndryshim drastik të qeverisjes dhe mbrojtjen e interesave kombëtare e qytetare nga institucionet e vendit. Sot protesta u përhap edhe në rrethe. Në Durrës u shfaq e njëjta pamje si edhe në Tiranë. Tirana prej tri ditësh është në flakë, por sot edhe Durrësi e Korça dëshmuan se rrezikohen nga flakët, nëse nuk ka dorëheqje të Edi Ramës. Thelbi i protestës është dorëheqja e parevokueshme e kryeministrit. Ai sot në një paraqitje publike i dënoi protestat si “akte vandalizmi”! Në fakt vandalizmi më i madh i ka ardhur Shqipërisë nga grabitja e pasurive tona kombëtare nga banda në pushtet dhe organizata kriminale e kryesuar prej Edi Ramës. Nuk ka protestë dhe as kryengritje që ta dëmtojë Shqipërinë më shumë se kjo qeverisje e babëzitur për pushtet e pasuri dhe e përkushtuar për t’ua dhënë pasuritë tona të huajve. Edi Rama i tha sot gjithashtu ROJTER-it se nuk do të japë dorëheqjen. Por tashmë dorëheqja e Edi Ramës nuk është në dorën e tij. Përballja bëhet midis rinisë dhe studentëve nga njëra anë dhe organizatës kriminale e kartelave të drogës në Shqipëri”, u shpreh Bytyçi për “Bota sot”.

Bytyçi i cilëson protestat si revolucion, duke theksuar se ato duhen parë si akte progresive dhe garanci për ardhmërinë e vendit.

“Protestat e studentëve, nxënësve dhe rinisë në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë janë revolucioni i parë historik në vendin tonë, që adresohet te ringritja jonë kombëtare. Ka pasur përpjekje të dhunshme shumë herë në Shqipëri për të rrëzuar regjime e ndërruar sisteme, por asnjëherë nuk ka pasur një revolucion si ky për ta ngritur Shqipërinë në nivelin e kombeve të përparuara evropiane. Prandaj dhe protestat duhen parë si akte progresive dhe garanci për të ardhmen e vendit tonë. Prej këtij momenti Shqipëria mund të shpresojë se do të ndalet emigrimi i shqiptarëve jashtë vendit dhe do të frenohet imigrimi i aziatikëve dhe afrikanëve në këtë vend”, pohon profesori.

Sipas Bytyçit, solidariteti i rinisë, studentëve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës ka rëndësi të veçantë.

Ai thekson se ka ardhur koha që Kosova të tregojë të njëjtin qëndrim ndaj vëllezërve të tyre në Shqipëri, ashtu siç shqiptarët e Shqipërisë nuk kanë qëndruar asnjëherë indiferentë ndaj zhvillimeve në Kosovë.

“U ndala pak gjatë ndoshta në atë që po ndodh në Shqipëri dhe për motivet e këtij revolucioni klasik, sepse dua të them se përballë një regjimi anti-kombëtar tashmë është vënë rinia shqiptare. Zgjimi i kësaj rinie dhe sakrifica e saj janë gjëja më e bukur që ka ndodhur në tri dekadat e fundit, pasi që shqiptarët e Shqipërisë e patën humbur shpresën se vendi ynë mund të dalë nga kolapsi i plotë dhe falimentimi i sigurt kombëtar. Për këtë arsye solidariteti i rinisë, studentëve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës është shumë i rëndësishëm. Shqiptarët në Shqipëri asnjëherë nuk kanë qëndruar indiferentë ndaj protestave dhe zhvillimeve në Kosovë. Ka ardhur momenti që Kosova të dëshmojë të njëjtin qëndrim ndaj vëllezërve të tyre në Shqipëri. Qëndrimi indiferent i Kosovës ndaj këtyre protestave dhe ngjarjeve në Tiranë dhe kudo në vendin tonë është i dëmshëm dhe i papranueshëm”, shprehet Bytyçi.

Nuk ka asnjë arsye që shqiptarët në Kosovë të heshtin dhe të bëjnë sikur asgjë nuk po ndodh, shton Bytyçi.

“E di se çdo solidaritet i Kosovës në Shqipëri do të pritet me reagime të ashpra nga krerët e regjimit anti-shqiptar të Tiranës. Por kjo nuk është arsye që shqiptarët në Kosovë të heshtin e të bëjnë indiferentin. Protestat e Tiranës që po shtrihen në gjithë vendin, deri në Kukës, hapin së pari një bashkim të ri midis të dy shteteve tona. Ato duhen parë si reagim edhe kundër politikave anti-kosovare të qeverisë Rama dhe vetë kryeministrit. Ato duhen vlerësuar si ndihmesë e madhe për shtetplotësimin e Kosovës dhe të ardhmen e saj. Prandaj, nëse Kosova, rinia e studentët e saj, ngrihen për të mbështetur vëllezërit e motrat e tyre në Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë, Vlorë, Elbasan, Kukës e kudo, duhet ta dinë se ndihmojnë ardhmërinë e kombit shqiptar në Ballkan”, nënvizon profesori.

Në fund ai thotë se alternativa më e mirë do të ishte qoftë edhe një ditë e vetme udhëtimi drejt Tiranës për të marrë pjesë aktivisht kundër regjimit të Edi Ramës.

Frika nga akuzat se “po ndërhyhet në punët e brendshme të Shqipërisë” nuk qëndron, thekson Bytyçi.

“Ndihma dhe solidariteti i Kosovës dhe rinisë së saj ndaj protestave antiqeveritare në Shqipëri mund të bëhet në forma të ndryshme. Më e mira është një organizim ekselent për paralajmëruar ardhjen qoftë dhe një ditë në Tiranë, me qëllim pjesëmarrjen aktive kundër regjimit të Edi Ramës. Nëse ndodh kjo, atëherë entusiazmi dhe vendosmëria e protestuesve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë do të rritej në maksimum. E ndërkohë forca e shumëfishuar e përbashkët Shqipëri-Kosovë do ta vinte kryeministrin shqiptar para detyrimit për dorëheqje. Dorëheqja është qëllimi parësor, por jo përfundimtar. Pas dorëheqjes protestuesit kërkojnë ndryshimin e ligjeve anti-kombëtare nga ky parlament që i ka miratuar ato. Pa mbështetjen e studentëve të Prishtinës, Prizrenit, Gjakovës, Ferizajt, Mitrovicës, Gjilanit etj., nuk do të arrihet aq lehtë qëllimi i protestuesve në Shqipëri. Por solidariteti i rinisë dhe studentëve të Kosovës mund të realizohet edhe me protesta solidarizuese në qytetet përkatëse që përmenda më lart. Frika për akuza se “po ndërhyhet në punët e brendshme të Shqipërisë” është jo e arsyeshme. Çdo logjikë racionale e kupton se solidariteti është gjithmonë mjet dhe formë e realizimit të qëllimeve të përbashkëta kombëtare. O sot, o kurrë. Shqipëria është në prag katastrofe. Ose ajo i shpëton kësaj katastrofe të paimagjinueshme për tjetërsimin e atdheut tonë, ose e shpëtojmë njëherë e përgjithmonë. Solidariteti i Kosovës si edhe i rinisë shqiptare e studentore në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës e kudo është mjet force e shtuar për protestuesit në Tiranë”, përfundon profesori.


Shtuar më 16.10.2026 19:31