Në orët e para të mëngjesit të së enjtes, një anije cisternë e aftë për të mbajtur deri në 7 mijë tonë naftë është mbytur rreth 46 kilometra larg brigjeve të Ibizës në Spanjë.
Ngjarja ka shkaktuar vdekjen e një anëtari të ekuipazhit, sipas raportimeve të agjencisë Reuters.
Të lidhura
None found
Anija në fjalë është cisterna “Med Emre”, e regjistruar nën flamurin e Maltës, e cila kishte nisur lundrimin nga Algecirasi drejt Barcelonës. Autoritetet e Ishujve Balearikë bëjnë me dije se mjeti lundrues kishte kapacitet transportues deri në 7 mijë tonë naftë.
Në momentin e aksidentit, në bord gjendeshin 17 persona, të cilët u nxorën nga ekipet e shpëtimit. Fatkeqësisht, njëri prej tyre nuk mbijetoi dot dhe humbi jetën pas mbërritjes në spitalin Can Misses të Ibizës.
Gjashtë të tjerë u shtruan në dy spitale për shkak të dëmtimeve të lehta, kryesisht të lidhura me hipoterminë. Pesë anëtarë të ekuipazhit u dërguan në Valencia, kurse pesë të tjerë, që ndodheshin në gjendje të mirë shëndetësore, qëndruan në bordin e një mjeti shpëtimi.
Pas mbytjes së anijes, autoritetet spanjolle shpallën nivelin 2 të planit kombëtar për emergjencat e ndotjes detare, i cili është i dyti për nga rëndësia. Në vendngjarje u dërgua anija e specializuar “Clara Campoamor”, e pajisur për ndërhyrje në rast të derdhjes së hidrokarbureve, si dhe një avion për mbikëqyrjen e zonës detare. Në operacion morën pjesë edhe tre helikopterë dhe disa anije tregtare që ndodheshin pranë zonës së aksidentit.
Shqetësimi kryesor i autoriteteve mbetet ndikimi i mundshëm mjedisor, pasi ujërat në verilindje të Ibizës shërbejnë si habitat për breshkat e detit, delfinët dhe zogun detar “Balearic shearwater”, që konsiderohet ndër speciet më të kërcënuara në Evropë. Po ashtu, në këtë zonë shtrihen livadhe të mëdha nënujore të bimës Posidonia oceanica, e cila ka rëndësi thelbësore për biodiversitetin detar.
Qeveria rajonale e Ishujve Balearikë po grumbullon të dhëna për të analizuar rrethanat e ngjarjes dhe pasojat e mundshme, përpara se të marrë vendime për hapat e ardhshëm.








