Seanca e planifikuar të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë për rastin e vrasjes në Aktash nuk u zhvillua, pasi i akuzuari Fatos Abazi raportohet se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në këtë proces gjyqësor akuzohen Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Fatos Abazi, Erd Marevci, Endrit Llapashtica, Dardan Marevci dhe Vesel Bunjaku, për ngjarjen ku më 1 shtator 2024, në lagjen Aktash të Prishtinës, u vra Premtim Gashi.
Të lidhura
None found
Pas verifikimit të pjesëmarrjes së palëve, avokati Mentor Neziri bëri të ditur se gjendja shëndetësore e të mbrojturit të tij, Fatos Abazit, ishte e rënduar.
Vetë Abazi tha se dëshironte që shqyrtimi gjyqësor të vazhdonte, por gjendja e tij nuk ia mundësonte të qëndronte në seancë.
Për shkak të mungesës së kushteve për zhvillimin e procesit, gjykata vendosi që seanca të shtyhej për një datë tjetër.
Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm prokurori Bashkim Zeqaj, të akuzuarit Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Fatos Abazi dhe Erd Marevci, si dhe mbrojtësit e tyre Kujtim Kërveshi, Xhemajl Ademi, Driton Musliu, Kosovare Kelmendi, Skender Musa, Mentor Neziri dhe Visar Haxhibeqiri.
Trupi gjykues që po e shqyrton këtë çështje drejtohet nga Fatime Dermaku, ndërsa anëtarë janë Alltën Murseli dhe Ertan Sejfulla.
Në seancën fillestare të mbajtur më 6 maj 2026, Korab Gashi, Valdrin Ademi dhe Erd Marevci u deklaruan të pafajshëm për veprat penale “Vrasje në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Vesel Bunjaku u deklarua i pafajshëm për “Armëmbajtje pa leje” dhe “Manipulim me prova”. Robert Llumnica, Salih Sekiraqa dhe Fatos Abazi mohuan akuzën për “Vrasje të rëndë”, ndërsa pranuan fajësinë për “Armëmbajtje pa leje”.
Më 26 gusht 2026, Korab Gashi, Valdrin Ademi dhe Erd Marevci u deklaruan përsëri të pafajshëm për “Vrasje në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Robert Llumnica, Salih Sekiraqa dhe Fatos Ajvazi u shprehën të pafajshëm për “Vrasje të rëndë”, ndërsa pranuan fajësinë për “Armëmbajtje pa leje”. Në atë seancë, Vesel Bunjaku pranoi fajësinë për “Armëmbajtje pa leje” dhe “Manipulim me prova”, ndaj procedura për të u veçua. Më 28 gusht 2026, ai u dënua me 7 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.
Gjykimi në mungesë ndaj Endrit Llapashticës dhe Dardan Marevcit nisi më 21 korrik 2026. Procesi ndaj tyre po zhvillohet pa praninë e të akuzuarve, pasi deri tani nuk kanë qenë të arritshëm për drejtësinë.
Aktakuza ndaj nëntë personave, Korab Gashit, Valdrin Ademit, Robert Llumnicës, Salih Sekiraqës, Fatos Abazit, Erd Marevcit, Endrit Llapashticës, Dardan Marevcit dhe Vesel Bunjakut, u ngrit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 12 shkurt 2026. Ajo lidhet me vrasjen e Premtim Gashit, më 1 shtator 2024 në lagjen Aktash të Prishtinës.
Sipas aktakuzës, ngjarja ndodhi pas një përplasjeje të armatosur mes dy grupeve në lokalin “From”. Për pasojë, Premtim Gashi humbi jetën, ndërsa disa persona të tjerë u plagosën. Të akuzuarit ngarkohen për vepra penale, ndër to “Vrasje të rëndë”, “Vrasje të rëndë në tentativë”, “Manipulim me prova” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Aktakuza e lidh motivin e sulmit me një konflikt të mëparshëm, të ndodhur më 4 mars 2024, mes Shkumbin Sekiraqës, djalit të Salih Sekiraqës, dhe Pajtim Gashit, vëllait të Premtim Gashit. Ky përplasje, sipas Prokurorisë, kishte përshkallëzuar konfliktin ndërmjet dy grupeve.






