Provat dhe dëshmitë mbeten”, Bukuroca i përgjigjet Hasanit për Gjykatën Speciale

Publicisti Lis Bukuroca ka reaguar ndaj komenteve të Enver Hasanit, ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, për mundësinë që Kosova ta shfuqizojë Ligjin për Gjykatën Speciale.

Të lidhura

None found

Në një postim në Facebook, Bukuroca ka vënë në diskutim pasojat ligjore dhe politike të një hapi të tillë. Ai ka paralajmëruar se Kosova mund të përballet me izolim ndërkombëtar e sanksione, ndërsa ka nënvizuar se heqja e ligjit nuk i anulon vendimet dënuese të Gjykatës Speciale. Provat dhe dëshmitë, sipas tij, do të mbeten, raporton “Bota sot”.

Ai ka ngritur edhe çështjen e ndarjes mes asaj që mund të bëjë shteti dhe kompetencave që u takojnë gjykatave.

Bukuroca shkruan se, edhe në rast se Hasani ka të drejtë dhe Kosova mund ta shfuqizojë ligjin në mënyrë të njëanshme, mungesa e pajtimit të BE-së mund ta çojë vendin drejt izolimit ndërkombëtar dhe sanksioneve.

Megjithatë, thekson ai, shfuqizimi i ligjit nuk do t’i jepte Kosovës të drejtën të rrëzonte dënimet e dhëna nga Gjykata Speciale. Sipas tij, ligji dhe vendimet dënuese janë dy çështje të veçanta: e para ka të bëjë me veprimet e shtetit, kurse e dyta me juridiksionin e gjykatave.

Bukuroca argumenton se shteti mund të miratojë ligje ose t’i shfuqizojë ato, por nuk mund të zëvendësojë gjykatën dhe të anulojë dënime për arsye politike. Ai pyet se si mund të mos e njohë këtë dallim themelor një jurist.

Publicisti kërkon që Hasani të shpjegojë se çfarë mund të ndërmarrë konkretisht shteti i Kosovës ndaj vendimeve të gjykatave të veta: a mund t’i anulojë ato përmes një ligji, apo ndryshimi i vendimeve gjyqësore bëhet vetëm nëpërmjet procedurave gjyqësore?

Si shembull, Bukuroca pyet nëse Kosova mund ta shpërbëjë Gjykatën e Apelit, e cila në vitin 2017 liroi Agim Çekun dhe nëntë persona të tjerë të dënuar për krijimin e UÇK-së së Re.

Në reagimin e tij, ai shton se kundërshtimi nuk drejtohet ndaj veprave penale mbi të cilat mbështetet Gjykata, por ndaj dënimeve. Sipas tij, shpërbërja edhe e Gjykatës së Apelit do të bënte që dënimet të mbeteshin përgjithmonë.