Faruk Mujka, kryeshef ekzekutiv i Ndërmarrjes Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenc”, dhe Hysen Muzliukaj, ish-drejtor për Gjeodezi në Mitrovicë, kanë përsëritur deklarimin e tyre të pafajësisë për akuzat që lidhen me korrupsionin në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Të lidhura
None found
Rasti ndaj tyre lidhet me këmbimin e pronës së ish-Bankosit me një pronë private. Sipas aktakuzës, Mujka, në kohën kur ishte nënkryetar i Komunës së Mitrovicës, dhe Muzliukaj, si drejtor për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në këtë komunë, dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Faruk Mujka përballet gjithashtu me akuzën për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë. Prokuroria pretendon se ai, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të “Ibër-Lepencit”, nuk kishte deklaruar shumën prej 60 mijë e 50 eurosh, e cila iu sekuestrua në shtëpi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Seanca e së hënës vijon me paraqitjen e fjalëve hyrëse nga palët në procedurë.
Të dy të pandehurit e kishin mohuar fajësinë edhe gjatë seancës fillestare të mbajtur më 20 tetor 2025.
Aktakuza ndaj Mujkës dhe Muzliukajt është ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 9 shtator 2025. Të dy akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa ndaj Mujkës është ngritur edhe akuza për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë.




