Berisha nga SPAK: Institucioni është kthyer në organizatë partie, Rama mbron Ballukun

Sali Berisha u paraqit pranë ambienteve të SPAK për të respektuar masën e sigurisë ndaj tij dhe, pas daljes, komentoi protestat dhe zhvillimet politike në vend.

Kreu i Partisë Demokratike e cilësoi revoltën si një shpërthim të shoqërisë shqiptare, ndërsa përsëriti sulmet ndaj Prokurorisë së Posaçme, për të cilën tha se është shndërruar në një organizatë politike.

Të lidhura

None found

“Revolta është shpërthimi i Shqipërisë. Ky institucion kushtetues mund të kishte luajtur një rol shumë të rëndësishëm në interes të shqiptarëve dhe Shqipërisë, por është kthyer në një organizatë partie”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi se SPAK ka pasur mbështetjen më të madhe ndërkombëtare, duke përmendur vizitat e ministrave të jashtëm dhe zyrtarëve të lartë nga disa vende, të cilët kanë shprehur përkrahje për misionin e këtij institucioni. Sipas tij, pavarësisht kësaj, anëtarët e tij “ishin dhe mbeten një organizatë e shpifur e PS”.

I pyetur nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, për deklaratën e Edi Ramës se Berisha po kërkon një “21 janar të dytë”, kreu i PD-së iu përgjigj duke e cilësuar kryeministrin si “zjarrvënësin më të madh të historisë së kombit”.

“Padrino Edi Rama është ai që ka djegur dhe shkatërruar ëndrrat e rreth 720 mijë të rinjve shqiptarë gjatë pushtetit të tij. Vlerësoni duke bërë krahasimet”, tha Berisha.

Berisha foli edhe për kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Ai pretendoi se Balluku po mbrohet nga qeveria dhe nga Edi Rama.

“A ka mungesë legjitimiteti më të madhe se të mos heqësh mandatin e lubi Ballukut? Ata që djegin Shqipërinë është Edi Rama”, u shpreh lideri demokrat.

Berisha deklaroi gjithashtu se Partia Demokratike do ta mbështesë me të gjithë forcën e saj këtë revoltë, deri në fitoren e saj.


Shtuar më 19.10.2026 10:55