Deputeti i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Lazar Radulloviq, e ka akuzuar Listën Serbe për përpjekje për ta bllokuar zgjedhjen e tij në Kuvendin e Kosovës, si dhe për presion, frikësim dhe sulme ndaj tij.
Të lidhura
None found
Gjatë fjalës së mbajtur sot në Kuvend, Radulloviq deklaroi se u detyrohej një përgjigje deputetëve të Listës Serbe. Sipas tij, gjatë procesit zgjedhor ata iu drejtuan Gjykatës Supreme për të kundërshtuar kandidaturën e tij. Ai gjithashtu e cilësoi Listën Serbe si organizatë kriminale, raporton KosovaPress.
Radulloviq tha se, ndryshe nga persona të tjerë, ai nuk mund të blihet apo të frikësohet nga Lista Serbe. Ai theksoi se vendi ku është ulur në Kuvend i përket atij dhe se askush nuk mund t’ia marrë përmes pazareve apo presioneve.
Deputeti deklaroi se kohët e fundit kishte përjetuar probleme, përfshirë dhunë fizike dhe shpërthimin e gomave të veturës. Sipas tij, mënyra e vetme për ta larguar nga vendi i tij do të ishte përdorimi i armëve. Radulloviq i akuzoi deputetët e Listës Serbe se marrin urdhra nga Beogradi dhe shtoi se, pavarësisht gatishmërisë së organizatës së tyre për gjithçka, ai nuk do të frikësohej.







