61 vota pro dhe asnjë kundër: Vendimet e Kuvendit në seancën e bojkotuar nga opozita

Deputetët e PDK-së, LDK-së, Aleancës dhe Listës Serbe munguan në sallë gjatë votimeve, ndërsa kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se Kodi Civil do të rikthehet për shqyrtim dhe se mbështetja për ish-krerët e UÇK-së do të parashihet në buxhetin e vitit 2027.

Të lidhura

None found

Kuvendi i Kosovës përfundoi të enjten seancën plenare, ku mazhoranca miratoi dy vendime të rëndësishme pa pjesëmarrjen e partive opozitare.

Një prej vendimeve ishte miratimi i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit. Nisma kaloi me 61 vota për, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim. Komisioni për buxhet, në cilësinë e komisionit raportues, kishte propozuar 12 amendamente.

Në këtë votim morën pjesë vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së, Aleancës dhe Listës Serbe nuk ishin të pranishëm.

Pas përfundimit të votimit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, shpalli të mbyllur seancën.

Bordi i BQK-së plotësohet me dy anëtarë

Gjatë së njëjtës ditë, Kuvendi emëroi Bashkim Nurbojen dhe Nora Latifi-Jasharin si anëtarë joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës. Zgjedhja e tyre u bë përmes votimit të fshehtë dhe u mbështet kryesisht nga deputetët e mazhorancës.

Deputetët e PDK-së u larguan nga salla në momentin kur nisi shqyrtimi i kësaj pike, pa shpjeguar arsyet e vendimit. Para votimit, atyre iu bashkuan edhe deputetët e LDK-së dhe të Aleancës.

Kurti paralajmëron rikthimin e Kodit Civil

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, kryeministri Albin Kurti tha se Kodi Civil do të sillet sërish për shqyrtim në Kuvend. Ai njoftoi se grupi punues i Ministrisë së Drejtësisë pritet të mblidhet në fillim të javës së ardhshme.

Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, shprehu kundërshtimin e tij ndaj dispozitave që lidhen me fertilizimin e asistuar dhe ndryshimin e gjinisë në dokumentet e gjendjes civile. Kurti tha se Kosovës i nevojitet reforma e së drejtës civile dhe e këshilloi Rrahmanin ta lexojë të gjithë dokumentin, i cili, sipas tij, përmban rreth 1,630 nene, në vend që të fokusohet vetëm në dy prej tyre.

Katër ish-krerët e UÇK-së, mbështetje financiare në buxhetin e vitit 2027

Kurti deklaroi gjithashtu se në buxhetin e vitit 2027 do të përfshihet mbështetja financiare për katër ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Sipas tij, paraprakisht duhet të përgatitet strategjia shtetërore për ndihmën juridike dhe institucionale gjatë procedurave të apelit. Për hartimin e saj, Qeveria ka krijuar një grup punues që drejtohet nga zëvendëskryeministri i parë, Glauk Konjufca.

Kërkesa dhe deklarata të tjera të deputetëve

Time Kadrijaj, deputete e Aleancës, kërkoi që Ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare të procedohet në Kuvend përpara datës së planifikuar, 30 gusht 2027. Ministri Andin Hoti e vlerësoi të rëndësishme këtë ligj, por nuk përcaktoi një afat të ri.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, kërkoi nga Inspektorati Policor një hetim të plotë për ndërhyrjen e Policisë gjatë protestës së 5 tetorit, duke përfshirë edhe zinxhirin komandues. Ajo tha se, nëse hetimi nuk sjell rezultate, do të kërkojë krijimin e një komisioni hetimor parlamentar.

Ndërkaq, Ramush Haradinaj deklaroi se siguria e Kosovës mbështetet te UÇK-ja dhe te aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n.

Të gjitha zhvillimet e seancës mund të ndiqen në raportimin tonë live.