Zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se bashkëpunimi mes vendeve të rajonit duhet të udhëhiqet nga besimi i ndërsjellë, barazia dhe respektimi i sovranitetit e integritetit territorial.
Të lidhura
None found
Gjatë Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Konjufca bëri të ditur përmes një postimi në X se mori pjesë në një drekë të përbashkët pune të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) dhe Nismës së Evropës Qendrore (CEI).
Ai shprehu mirënjohje ndaj ministres së Punëve të Jashtme të Rumanisë, Oana Țoiu, për organizimin e bisedës kushtuar perspektivës së bashkëpunimit rajonal.
Konjufca theksoi se, në përvjetorin e tretë të sulmit terrorist në Banjskë, ku humbi jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u rikthye te nevoja që marrëdhëniet rajonale të bazohen në besim, barazi dhe respekt për sovranitetin dhe integritetin territorial.
Sipas tij, kjo qasje merr rëndësi të veçantë në kushtet kur rajoni dhe Evropa po përballen me shtim të kërcënimeve hibride dhe presioneve gjeopolitike.
Ai nënvizoi se, për Republikën e Kosovës, bashkëpunimi rajonal duhet të jetë plotësues i aspiratës së përbashkët evropiane dhe jo zëvendësues i saj. Në të njëjtën kohë, ky bashkëpunim duhet të sjellë përfitime konkrete përmes forcimit të lidhjeve rajonale, tregtisë, energjisë, bashkëpunimit digjital, mobilitetit dhe qëndrueshmërisë.
Konjufca tha se këto mekanizma duhet të maten në bazë të ndikimit dhe përfitimeve që u sjellin qytetarëve.
Ai shtoi se të rinjtë kërkojnë mundësi, lëvizje të lirë dhe mirëqenie, ndërsa detyra e institucioneve është që këto mundësi t’i krijojnë brenda rajonit.
