Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e pesë zyrtarëve policorë për dy raste të veçanta, në Prishtinë dhe Gjilan. Dyshimet ndaj tyre lidhen me ngacmim seksual, kontrollim të kundërligjshëm dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Të lidhura
None found
Tre nga policët janë pjesë e Stacionit Policor Jugu në Prishtinë. IPK ka kërkuar suspendimin e tyre nën dyshimin për veprat penale “Ngacmimi seksual” dhe “Kontrollimi i kundërligjshëm”.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas mesnatës së 15 tetorit, pranë rrethrrotullimit në lagjen Lakërishte të Prishtinës, sipas njoftimit të IPK-së. Ankuesja pretendon se po drejtonte veturën kur policët e ndaluan dhe e kontrolluan. Ajo thotë se më pas i kërkuan të vazhdonte drejt fshatit Çagllavicë, me qëllim kryerjen e veprimeve me karakter seksual.
Me udhëzim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për këtë rast është nisur procedurë penale për veprat e dyshuara. IPK ka njoftuar se, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, hetimet do të vijojnë për verifikimin e pretendimeve dhe sqarimin e plotë të rrethanave.
Rasti tjetër përfshin dy zyrtarë të Stacionit Policor në Gjilan, për të cilët IPK ka rekomanduar suspendim nën dyshimin për “Keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Të dhënat fillestare të hetimit tregojnë se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në Gjilan më 15 tetor 2026, rreth orës 23:00. Sipas pretendimeve, policët ndaluan një qytetar dhe e futën në veturën zyrtare, ku ndaj tij u ushtrua abuzim verbal dhe iu cenhua privatësia. Dyshohet gjithashtu se ia morën telefonin pa urdhër të Prokurorit të Shtetit.
IPK ka bërë të ditur se këto dyshime fillestare mund të kenë lidhje me ankesën që i njëjti qytetar paraqiti në korrik të vitit 2026 kundër këtyre zyrtarëve, për keqtrajtim dhe tejkalim të autorizimeve policore.
Inspektorati ka theksuar se do të vijojë, në përputhje me mandatin e tij ligjor, hetimin e dyshimeve për veprime të kundërligjshme të zyrtarëve policorë, me synim llogaridhënien dhe forcimin e integritetit në Policinë e Kosovës.
Rekomandimet për suspendim janë pjesë e procedurave hetimore dhe nuk përbëjnë vendim përfundimtar për përgjegjësinë penale të policëve të dyshuar.







