Përballë kritikave dhe pakënaqësisë publike, politikanët zakonisht ndjekin një nga dy rrugët: ose u përgjigjen argumenteve, ose përpiqen t’i zbehin ato. Kryeministri Edi Rama, sipas reagimit të tij të fundit, duket se ka zgjedhur opsionin e dytë, duke i cilësuar protestat si pasojë e një “histerie kolektive” të ushqyer nga rrjetet sociale.
Në të njëjtin reagim, ai ironizoi edhe pjesëmarrjen e shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke i paraqitur me ton sarkastik si persona që po vijnë për të “shpëtuar Shqipërinë”.
Të lidhura
None found
“Shteti ndërtohet duke mos e humbur drejtimin e historisë. Kam pasur shumë mesazhe sikur më ka shkuar ndërmend të jap dorëheqjen. Se gjithmonë e më shumë njerëzit fillojnë, shohin që kjo është diçka që nuk rri as në qiell, as në tokë. Nuk mundet dot asnjë shqiptar i arsyeshëm që të pranojë që Tirana të bëhet një territor sfilate për një turmë që shkon të bllokojë aeroportin. Nuk e pranon dot askush këtë. Natyrisht, tërheqja pak nga pak e syve të atyre që shkuan atje për të dalë në skenë dhe mbetja e një grupi ku ka një përzierje të hatashme dhe është një përzierje mbarëkombëtare. Vijnë njerëz nga Kosova, nga Maqedonia, për të shpëtuar Shqipërinë në emër të shqiptarëve. Ujërijnë të mblidhet këtu kombi”, u shpreh mes tjerash Rama në reagimin e tij publik.
Në vend që ta interpretonte këtë pjesëmarrje si shenjë të lidhjes kombëtare dhe interesimit për zhvillime që prekin të gjithë shqiptarët, kreu i qeverisë shqiptare zgjodhi ironinë dhe talljen. Një qasje e tillë ngre pikëpyetje serioze si për mënyrën se si ai e sheh protestën, ashtu edhe për kuptimin që i jep solidaritetit kombëtar.
Në këtë kontekst shtrohet edhe pyetja: çfarë fshihet në thelb pas këtij ironizimi? A po e nënvlerëson Rama të drejtën e shqiptarëve, kudo që jetojnë, për të shprehur shqetësim dhe solidaritet për zhvillimet në Shqipëri?
Ndoj: Rama i frikësuar nga uragani i protestës
Për këtë çështje foli për “Bota sot” opinionisti nga Shqipëria, Llesh Ndoj, i cili tha se mënyra si po reagon Rama nuk dallon nga sjellja e autokratëve në vende dhe periudha të ndryshme.
Sipas Ndojt, me deklaratat e fundit ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë, Rama po përpiqet të ngatërrojë shkakun e protestës me format dhe mjetet e saj.
“Së pari, më lejo të them se reagimi i Ramës ndaj protestës në tërësinë e saj, nuk ka asnjë ndryshim nga reagimet e autokratëve në të gjithë botën e në të gjitha kohërat. Cili është thelbi? Ngatërrimi me dashje i shkaqeve me mjetet dhe format e organizimit, për t’ua ulur atyre peshën e rëndësinë e për të përjashtuar veten nga përgjegjësia”.
Ai shtoi se në qendër të protestës qëndrojnë arroganca dhe shurdhëria e Ramës, ndërsa sa i takon pjesëmarrjes së shqiptarëve nga Kosova, theksoi se ata janë të mirëpritur kur çështjet kanë karakter kombëtar.
“Tani vijmë pak më konkretisht. Protesta aktuale ka si shkak arrogancën dhe shurdhërinë e Ramës dhe të klasës së tij autokrate qeverisëse, ndonëse mbetet e larme në pjesëmarrje, në parulla e në rrugëdalje. Sa u takon pjesëmarrjes së kosovarëve, apo shqiptarëve, jo shtetas të Shqipërisë, edhe pse në parim ato janë gjithnjë të mirëpritura, sidomos kur kanë të bëjnë me çështje kombëtare, kur kanë të bëjnë me “poshtë ky e lart ai”, ndoshta nuk janë me efektin e duhur”, shtjelloi ai.
Më tej, Ndoj u shpreh se kryeministri duket i pasigurt dhe i trembur nga fuqia e protestës, ndërsa sjellja e tij, sipas tij, po zbulon dobësi dhe po ushqen më tej pakënaqësinë.
“Megjithatë, Kryeministri, duke mos qenë i qetë, ndoshta edhe i frikësuar dukshëm nga uragani i protestës që për shkak të faktit se Shqipëria është e duhet të mbetet epiqendra e projektit kombëtar shqiptar, bashkëkombasit do të duhet t’i kishte trajtuar më me respekt, ashtu si të gjithë protestuesit e tjerë.
Lëvizjet si klloun, sarkazma, talljet, etiketimet vetëm sa tregojnë dobësinë e tij dhe ia shtojnë karburantin protestës”, përfundoi Ndoj për “Bota sot”.
Kapiti: Shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë janë shqiptarë dhe patriotë
Edhe publicisti Skënder Kapiti kundërshtoi deklaratat e fundit të Edi Ramës lidhur me protestat në Shqipëri.
Kapiti e kritikoi ashpër kryeministrin dhe Partinë Socialiste, duke i akuzuar se kanë përdorur Shqipërinë dhe interesat kombëtare për pushtet dhe lavdi personale.
“Protestat e rinisë, qytetarisë dhe diasporës në Shqipëri nuk janë protesta, siç i ka komentuar Rama, si tendencë për krijimin e “histerisë kolektive” dhe për kërkim të vëmendjes publike. Kështu i etiketon ky sharlatan, të cilit, sipas kritikëve të tij, nuk mund t’i thuash kryeministër, por antihuman, antishqiptar dhe zullumqar. Protestat rinore dhe kombëtare po i tregojnë jo vetëm opinionit mbarëshqiptar, por edhe atij botëror, bëmat dhe atë që ky kryeministër i ka bërë kombit dhe shtetit të vet.
Edi Rama nuk je fajtor për këtë vetëm ti, por edhe Partia Socialiste e Shqipërisë që të zgjodhi në krye të saj dhe që më pas të dha katër mandate për pushtet. Rama, pushteti dhe partia jote të kanë ngritur një lavdi të rreme dhe ke fituar mbështetje te diplomacia evropiane duke spekuluar, shtypur, shfrytëzuar dhe përdorur Shqipërinë dhe interesat kombëtare për pushtetin dhe lavdinë personale.
Madje, sipas kritikëve të tu, si antishqiptar ke fituar respekt edhe te armiqtë historikë të shqiptarëve. Ke qenë dhe je sjellë me djallëzi e hipokrizi kundër agjendave kombëtare dhe në shërbim të atyre antishqiptare, duke përdorur e shfrytëzuar pushtetin. Mbi dëmet, rrënimet dhe vuajtjet e shqiptarëve të shkaktuara nga klika jote dhe nga Partia Socialiste, ke ngritur “personalitetin” tënd”, deklaroi ai.
Në prononcimin e tij për “Bota sot”, Kapiti tha gjithashtu se protestat e fundit në Tiranë do ta largojnë Ramën nga pushteti, pasi sipas tij qytetarët tashmë e kanë kuptuar lojën dhe politikën e tij antishqiptare.
“Këto protesta jo vetëm që do ta largojnë Ramën nga pushteti, por po i vulosin atij edhe damkën e një kryeministri të konsideruar nga kundërshtarët e tij si ndër më antishqiptarët në histori.
Edi Rama dhe Partia Socialiste e tij, sipas protestuesve, nuk i kanë bërë dëm askujt tjetër përveç shqiptarëve.
Populli e ka etiketuar atë, politikën dhe pushtetin e tij, si edhe njerëzit rreth tij, si hajdutë dhe tradhtarë. Në protestë është dënuar e gjithë politika e vjetër e tranzicionit 35-vjeçar. Rama dhe ekipi i Rilindjes, bashkë me lukuninë e letrarëve injorantë e servilë dhe me mediat e shitura, nuk lanë etiketim pa u vënë protestuesve: herë si të nxitur nga Greqia, Serbia, Rusia apo Irani, ndërsa tani përdorin edhe ironizime ndaj shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia që tregojnë solidaritet me protestuesit”.
Publicisti ndaloi edhe te qasja e Ramës ndaj Kosovës, duke thënë se ai ka marrë më shumë qëndrime dhe vendime kundër saj dhe në dobi të Serbisë.
Në mënyrë të veçantë, ai e kritikoi për mbështetjen ndaj projektit për ndarjen e Kosovës dhe “Ballkanit të Hapur”.
“Edi Rama, karshi Kosovës, nuk ka dhënë vetëm “mesazhe”, por, sipas kritikëve të tij, ka ndërmarrë edhe veprime, sjellje e madje “projekte” kundër interesave të Kosovës dhe të shqiptarëve, si dhe në favor të Serbisë. Ai është akuzuar se ka mbështetur ndarjen e Kosovës dhe projektin e Mini-Shengenit, të cilin kundërshtarët e konsiderojnë të dëmshëm për Kosovën dhe Shqipërinë.
Ai, sipas kritikëve, asnjëherë nuk ka kritikuar presidentin serb dhe as politikën e Beogradit për veprimet e tyre destabilizuese ndaj Kosovës, për mbështetjen dhe financimin e grupeve kriminale dhe terroriste serbe në Kosovë.
Ka qenë, sipas kundërshtarëve të tij, avokat i presidentit të Serbisë sa herë që Bashkimi Evropian ka kritikuar dhe dënuar Beogradin në lidhje me provokimet dhe kërcënimet ndaj territorit të Kosovës”, nënvizoi ai për “Bota sot”.
Në vijim, Kapiti vlerësoi pjesëmarrjen e protestuesve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke thënë se ata me të drejtë nuk po qëndrojnë indiferentë ndaj asaj që po ndodh.
Ai kërkoi që Rama të japë të paktën dorëheqjen për gjithçka që, sipas tij, i ka shkaktuar shtetit shqiptar.
“Shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë janë shqiptarë dhe patriotë, të cilët nuk mund të qëndrojnë indiferentë ndaj asaj që ndodh në Shqipëri dhe ndaj këtyre protestave madhore e patriotike që po zhvillohen në Tiranë, pavarësisht nëse kjo i pëlqen apo jo Edi Ramës.
Edi Ramës, të cilin një media dhe disa figura evropiane, sipas autorit, e kanë etiketuar si “kryeministrin serb më të mirë pas Pashiqit”, i kërkohet të japë dorëheqjen.
Rama duhet të japë dorëheqjen si minimum i një llogaridhënieje para qytetarëve dhe Shqipërisë, dhe të largohet nga pushteti, sepse kundër tij është ngritur edhe diaspora shqiptare, si dhe ata që kanë braktisur atdheun për shkak të politikave dhe qeverisjes së tij, të cilat kundërshtarët i konsiderojnë të korruptuara dhe të kriminalizuara.
Tani atij, sipas kritikëve, i janë konsumuar edhe batutat dhe retorika e tij, si e një gjeli mbi grumbullin e korrupsionit të qeverisë dhe të ekipit të Rilindjes. Edhe bashkëpunëtorët e tij, sipas protestuesve, janë lodhur duke e dëgjuar”, theksoi ai.
Në fund, Kapiti kërkoi që thirrjet e protestuesve në Tiranë të merren seriozisht dhe që Rama të largohet përfundimisht nga pushteti.
“Shikoje dhe dëgjoje popullin dhe sovranin që proteston çdo ditë në Tiranë, në qytetet e Shqipërisë dhe në kryeqytetet e Evropës kundër jush dhe kundër regjimit që protestuesit e konsiderojnë korruptiv dhe antishqiptar. Përgjigju para protestuesve dhe kauzave të tyre: “Shqipëria e shqiptarëve, jo e tradhtarëve” dhe “Shqipëria nuk është në shitje”. Dhe ti e kupton se kush është tradhtari dhe kush bën pazare me trojet shqiptare.
Mirëpo, shqiptarët në Shqipëri asnjëherë nuk protestuan dhe as nuk e kundërshtuan kryeministrin e tyre kur ai ndërhynte në punët e Kosovës pa qenë i autorizuar nga ndokush në Kosovë. Po ashtu, nuk reaguan kur ai sillej dhe vepronte haptazi, sipas kritikëve të tij, në dëm të sovranitetit dhe të integritetit territorial të Kosovës”, përmbylli Skënder Kapiti për “Bota sot”.
