Një transplant i kryer me veshkë derri ka vendosur një rekord të ri, pasi organi funksionoi për 271 ditë në trupin e një burri nga Shtetet e Bashkuara.
Të lidhura
None found
Tim Andrews, 66 vjeç, jetonte me sëmundje të veshkave në fazën përfundimtare dhe iu nënshtrua ndërhyrjes më 25 janar 2025. Veshka nisi të punonte menjëherë dhe u hoq në tetor të po atij viti.
Pas largimit të organit të derrit, Andrews kaloi 82 ditë në dializë, derisa në janar të këtij viti u gjet një dhurues njerëzor. Veshka e transplantuar nga dhuruesi po funksionon mirë.
Për Andrewsin, ndërhyrja nënkuptoi disa muaj larg dializës, procedurës që përdor një makinë për të filtruar gjakun. Ai e ka përshkruar transplantin si një burim “shprese” dhe si “dritë në fund të tunelit”.

“Kisha pak mungesë kohe… bëhet shumë depresive”, tha ai, duke iu referuar pritjes për një organ njerëzor.
“Shpresa është gjëja më e madhe, shansi për t’u çliruar nga makina e dializës dhe për të jetuar jetën tënde”, u shpreh Andrews.
Mjekët e Mass General Brigham e konsiderojnë këtë rast një tregues të rëndësishëm të mundësive që paraqet ksenotransplantimi, përdorimi i organeve të kafshëve për transplantim te njerëzit.
Studiuesit shpresojnë që veshkat e derrave të shërbejnë si një “urë” për pacientët që presin një transplant njerëzor. Sipas mjekëve, mungesa e organeve ka krijuar një krizë, ndërsa kjo qasje mund t’u ofrojë një alternativë personave pa dhurues të gjallë dhe t’i shpëtojë nga periudhat e gjata të dializës.

Rreth 100 mijë njerëz në Shtetet e Bashkuara presin një transplant veshke, ndërsa çdo vit kryhen vetëm rreth 25 mijë ndërhyrje të tilla. Në Mbretërinë e Bashkuar, lista e pritjes për transplant veshke përfshin më shumë se 7 mijë persona.
Andrews kishte marrë vesh se mund t’i duheshin rreth shtatë vjet për të arritur në krye të listës së transplantit. Ndërkohë, pacientët që qëndrojnë në dializë kanë një jetëgjatësi mesatare prej rreth pesë vjetësh.
Derri shihet si një prej kafshëve më të përshtatshme për ksenotransplantim, pasi organet e tij janë të ngjashme për nga madhësia me ato të njeriut dhe ekziston një përvojë e gjatë në mbarështimin e kësaj kafshe.

Një organ i zakonshëm derri nuk mund të transplantohet te njeriu, sepse sistemi imunitar do ta dallonte menjëherë si trup të huaj dhe do të shkaktonte një reagim të fuqishëm refuzimi.
Për të kapërcyer këtë pengesë, studiuesit kanë zhvilluar derra miniaturë të Jukatanit, organet e të cilëve modifikohen gjenetikisht. Derri i përdorur për ndërhyrjen e Andrewsit kishte pësuar 69 modifikime gjenomike.
Këto ndryshime synojnë të largojnë disa tipare të qelizave të derrit që sulmohen nga imuniteti njerëzor, të shtojnë ADN njerëzore për të ndihmuar në kamuflimin e indeve dhe të çaktivizojnë viruset që mund të gjenden në ADN-në e derrit.

Megjithatë, veshka nuk arriti të funksionojë përgjithmonë. Gjatë muajve të parë u vunë re shenja refuzimi nga sistemi imunitar, por mjekët arritën t’i trajtonin duke ndryshuar medikamentet.
Pas afro gjashtë muajsh, enët e gjakut të organit nisën të dëmtoheshin. Veshka u inflamua dhe më pas filloi të dështonte. Ende nuk është përcaktuar me saktësi arsyeja, pasi mjekët nuk gjetën shenja të antitrupave që po e sulmonin organin e derrit.
