Një aktakuzë për krime lufte ndaj civilëve është ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës lidhur me sulmin në lagjen Jashari në Prekaz, i zhvilluar më 5, 6 dhe 7 mars 1998.
Të lidhura
None found
Sipas prokurorit të çështjes, Valdet Gashit, në procedurën penale janë përfshirë 35 persona. Hetimet i konsiderojnë ata ish-zyrtarë me funksione të larta komanduese në strukturat e njësive speciale të Policisë Serbe.
Personi që qëndron në qendër të akuzave për sulmin e drejtpërdrejtë ndaj familjes Jashari është Milorad Ulemek, i njohur si “Legija”. Prokuroria Speciale pretendon se në atë periudhë ai drejtonte Njësinë për Operacione Speciale të Serbisë.
Valdet Gashi deklaroi se Ulemek kishte marrë përsipër drejtimin e operacionit kundër shtëpisë së familjes së Shaban Jasharit, pas një kërkese të bërë prej tij.
“Legija” e ka udhëhequr Njësinë për Operacione Speciale dhe, me kërkesën e tij të veçantë, kishte obligim e detyrë që ta sulmonte drejtpërdrejt shtëpinë e familjes së Shaban Jasharit. Kjo, sipas Gashit, është realizuar edhe në terren.
Prokuroria bën të ditur se gjatë këtij sulmi u vranë 26 civilë, mes tyre fëmijë, gra dhe të moshuar. Po ashtu, banorët e lagjes Jashari dyshohet se u mbajtën peng dhe iu nënshtruan keqtrajtimeve.
Procedura është zhvilluar në mungesë, pasi autoritetet e Kosovës nuk kanë mundur t’i sigurojnë të akuzuarit për t’u paraqitur në proces. Sipas informatave të disponueshme për Prokurorinë, të 35 të akuzuarit janë ende gjallë.
