Punimet për ndërtimin e bulevardit “Mit’hat Frashëri” në Çair pritet të fillojnë gjatë javës së ardhshme. Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, dhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, kanë inspektuar sot pjesën ku do të ndërtohet ky segment i rëndësishëm rrugor.
Të lidhura
None found
Rruga do të shtrihet në një gjatësi prej më shumë se 1.4 kilometrash, duke lidhur rrugën “Xhon Kenedi” me bulevardet “Sllovenia” dhe “Bosnja e Hercegovina”. Projekti parashikon ndërtimin e katër korsive të qarkullimit, trotuareve dhe hapësirave për biçikleta, si dhe instalimin e kanalizimit atmosferik dhe ndriçimit të ri publik.
Mexhiti e cilësoi këtë investim si një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore për Çairin, duke theksuar se ai do të ndikojë në përmirësimin e qarkullimit dhe të infrastrukturës në këtë zonë. Sipas tij, pikat janë përcaktuar dhe kushtet për nisjen e punimeve janë plotësuar.
Kryetari i Çairit deklaroi se projektet e premtuara për qytetarët po realizohen njëra pas tjetrës dhe se kjo qasje do të vijojë deri në përmbushjen e plotë të zotimeve. Ai shtoi se shumica e projekteve tashmë ndodhen në fazën përfundimtare dhe se ka mbetur pak kohë deri në realizimin e tyre.
