Të paktën 14 pjesëtarë të shoqërisë civile në Serbi janë targetuar me softuerë të sofistikuar spiunazhi në muajt e parë të këtij viti. Share Foundation e ka përshkruar këtë si “valën më të madhe të dokumentuar të mbikëqyrjes” në vend deri tani.
Të lidhura
None found
Sipas “The Guardian”, në mesin e personave të prekur ndodhen edhe studentë të angazhuar në protestat që prej vitit 2024 janë përballur me qeverinë e presidentit Aleksandar Vuçiç.
Rasti u bë publik në gusht, kur kompania Apple paralajmëroi përdoruesit në 110 vende se mund të ishin vënë në shënjestër të programeve mercenare të spiunazhit.
Citizen Lab, në një analizë të saj, identifikoi se të paktën një aktivist serb ishte sulmuar me Pegasus, softuerin e krijuar nga NSO Group. Ekspertët shpjegojnë se infektimi me këtë program mund t’i sigurojë sulmuesit “qasje të plotë në pajisje” dhe t’i mundësojë marrjen e të dhënave nga telefoni.
Share Foundation bëri të ditur se disa prej personave të targetuar i përkisnin lëvizjes studentore serbe. Kjo lëvizje u shndërrua në një nga organizimet më të mëdha studentore në Evropë, pas protestave mbarëkombëtare që nisën pas shembjes së një stacioni treni në vitin 2024.
Deri në këtë moment nuk ekzistojnë prova se sulmi me Pegasus ndaj studentit është kryer nga qeveria e Vuçiçit. Në të kaluarën, megjithatë, programe të tjera spiunazhi, mes tyre NoviSpy, janë lidhur me autoritetet serbe pasi janë përdorur ndaj studentëve të vendit.
Ana Brnabić, kryetare e parlamentit serb dhe një prej zyrtareve të larta të Partisë Progresive Serbe në pushtet, ka hedhur poshtë pretendimet se studentët janë survejuar nga institucionet.
“Absolutisht jo. Nuk besoj asnjë fjalë që kanë thënë studentët apo Share”, tha Brnabić gjatë një interviste për Euronews Serbia.
Organizata Share Foundation vlerëson se periudha e dyshuar e sulmeve, e cila përkon me zgjedhjet lokale të marsit, mund të ketë rëndësi të veçantë. Sipas saj, këto zgjedhje mund të jenë shfrytëzuar si test përpara zgjedhjeve të parakohshme të parashikuara për tetor.
“Kjo është vala më e madhe e dokumentuar e mbikëqyrjes në Serbi deri më tani”, deklaroi Andrijana Ristic, këshilltare politike në Share Foundation.
John Scott-Railton, studiues i lartë në Citizen Lab, tha se provat forenzike dhe njoftimet e dërguara nga Apple dëshmojnë se lëvizja pro-demokracisë në Serbi po përballet me një përdorim agresiv të programeve mercenare të spiunazhit, në prag të një cikli të rëndësishëm zgjedhor.
Milica Popović, një prej studenteve të shënjestruara, i përshkroi sulmet si “mizore”. Ajo tha se mundësia që dikush të kishte depërtuar në hapësirën e saj private pa dijeninë e saj e kishte bërë të ndihej e ekspozuar.
Megjithatë, Popović theksoi se ky sulm nuk do ta pengojë atë dhe as lëvizjen studentore.
Pegasus, programi i zhvilluar nga NSO Group, është përdorur më herët kundër gazetarëve, aktivistëve për të drejtat e njeriut dhe disidentëve në vende të ndryshme. Për vite me radhë, përdorimi i tij ka ngritur shqetësime për mbikëqyrjen dhe keqpërdorimin e teknologjisë së spiunazhit.
NSO Group është kontaktuar për të dhënë një reagim lidhur me pretendimet e fundit.
