Përmbytjet dhe rrëshqitjet masive të dheut në Nepal dhe Tibet kanë shkaktuar të paktën 1,000 viktima, ndërsa mbi 4,400 persona ende nuk janë gjetur.
Të dhënat më të fundit tregojnë se 987 njerëz kanë humbur jetën në Nepal dhe 13 në rajonin kinez të Tibetit. Në të dyja zonat, numri i personave të zhdukur ka arritur në 4,462.
Të lidhura
None found
Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë mes vështirësive të mëdha, pasi katastrofa ka dëmtuar rëndë infrastrukturën dhe ka izoluar disa hidrocentrale në zonat malore të Himalajeve. Për të depërtuar në territoret e bllokuara, ekipet kanë përdorur ura të përkohshme dhe mjete të rënda.
Deri tani, 279 punëtorë janë nxjerrë të gjallë nga hidrocentralet, ndërsa qindra të tjerë vazhdojnë të jenë të bllokuar.
Kryeministri i Nepalit, Balendra Shah, bëri të ditur se deri më tani janë shpëtuar më shumë se 11,000 persona. Në disa prej zonave më të prekura janë rikthyer furnizimi me energji elektrike, komunikimi dhe qarkullimi rrugor.
Nuwakot, një prej territoreve më të dëmtuara, është ndër zonat ku është rivendosur aksesi. Hapja e rrugëve ka lehtësuar vijimin e kërkimeve, si dhe transportin e ushqimeve dhe ndihmave të tjera.
Për përballimin e situatës, Nepali ka siguruar mbi 42 milionë dollarë ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar. India dhe Kina po mbështesin gjithashtu përpjekjet e shpëtimit dhe punën për rikthimin e lidhjeve me zonat e izoluara.
Shah ka deklaruar se ndikimi në rritje i ndryshimeve klimatike po e përkeqëson situatën në Himalaje dhe ka paralajmëruar për shtimin e rreziqeve në këtë rajon.
Terreni malor e bën Nepalin veçanërisht të cenueshëm ndaj përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut. Një tjetër kërcënim lidhet me shkrirjen e akullnajave të Himalajeve, nga ujërat e të cilave varen miliona njerëz.
Autoritetet nepaleze vlerësojnë se rindërtimi pas katastrofës mund të kërkojë miliarda dollarë, duke shtuar presionin mbi ekonominë e vendit. Ekspertët e OKB-së kanë paralajmëruar se ndryshimet klimatike po i shndërrojnë fatkeqësi të tilla natyrore në ngjarje më të shpeshta dhe më intensive.
