Eurodeputetja Strolenberg denoncon dhunën ndaj protestuesve në Shqipëri: Rama nuk dëgjon dhe nuk ndryshon qëndrim

Eurodeputetja holandeze Anna Strolenberg e ka ngritur në Parlamentin Europian shqetësimin për dhunën e ushtruar nga policia ndaj studentëve që protestojnë në Shqipëri. Ajo i bëri thirrje Bashkimit Europian të mos mbyllë sytë përballë pamjeve ku të rinj qëllohen me plumba gome, dhunohen dhe arrestohen.

Gjatë fjalës së saj, Strolenberg vuri theksin te përgjegjësia e Edi Ramës dhe te qëndrimi i institucioneve europiane, duke deklaruar se Shqipëria nuk duhet të konsiderohet pronë e kryeministrit.

Të lidhura

None found

Eurodeputetja tha se çdo ditë sheh pamje nga protestat që, sipas saj, dëshmojnë përdorimin e forcës kundër të rinjve. Ajo akuzoi Ramën se refuzon të dëgjojë kërkesat e qytetarëve dhe nuk pranon të ndryshojë pozicion.

“Protestues të qëlluar me plumba gome, fëmijë të rrahur dhe të arrestuar. E gjitha kjo sepse Edi Rama nuk dëgjon dhe nuk pranon të ndryshojë”, u shpreh Strolenberg.

Fjalimi i eurodeputetes Anna Strolenberg:

Faleminderit, President.

Kërkoj të paraqes një mocion procedural, në përputhje me nenin 202 të Rregullores së Procedurës.

Shqipëria e shqiptarëve.

Shqipëria duhet t’u përkasë shqiptarëve, jo Edi Ramës dhe të pasurve.

Çdo ditë më mbërrijnë pamje që nuk mund t’i injoroj. Protestues të goditur me plumba gome, fëmijë të dhunuar dhe të arrestuar. E gjithë kjo ndodh sepse Edi Rama nuk dëgjon dhe nuk pranon të ndryshojë.

Më vjen turp që BE-ja dënoi vetëm dhunën e disa protestuesve të dhunshëm, ndërsa nuk dënoi përdorimin e tepruar të forcës nga policia ndaj shumicës së protestuesve paqësorë.

Ne flasim për vlerat, por qëndrojmë pasivë kur ato shkelen.

Njerëzit mund t’i falin kundërshtarët e tyre, por nuk do ta falin një mik që i braktis.

Ne kemi mjete për të ushtruar ndikim, pasi Shqipëria synon të bëhet pjesë e BE-së. Qeveria shqiptare duhet të realizojë ndryshime të mëdha, të luftojë korrupsionin, të reformojë policinë dhe të mbrojë qytetarët e saj.

Shqipëria është pjesë e familjes europiane dhe një familje duhet të qëndrojë pranë anëtarëve të saj.


Shtuar më 19.10.2026 23:43