Presidenti amerikan Donald Trump e ka lidhur valën e protestave dhe trazirave të raportuara në disa vende europiane me politikat e emigracionit.
Të lidhura
None found
Në një prononcim për Tgcom24, Trump tha se zhvillimet e fundit në kontinent dëshmojnë se paralajmërimet e tij të mëparshme ndaj drejtuesve europianë ishin të justifikuara.
“Bëhet fjalë për emigracionin”, deklaroi ai, duke iu referuar situatës në shtete të ndryshme, përfshirë Francën, Italinë dhe Belgjikën.
Sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë, ai u kishte bërë të ditur disa liderëve europianë se politikat e ndjekura prej tyre do të sillnin pasoja serioze.
“U paralajmërova shumë prej tyre se kjo do të sillte probleme të mëdha. Dhe dola i saktë”, u shpreh Trump.
Gjatë komentit të tij, presidenti amerikan u ndal veçanërisht te Franca, ku e përshkroi gjendjen si tepër të rënduar.
Trump sulmoi politikat e emigracionit, duke pretenduar se disa prej emigrantëve nuk tregojnë respekt për vendin ku jetojnë, kulturën apo traditat e tij.
“Nuk e pëlqejnë artin e tij. Nuk i vlerësojnë ndërtesat e tij. Ata po e pushtojnë atë vend”, tha presidenti amerikan, duke përdorur një retorikë të ashpër.
Këto deklarata u bënë në një periudhë kur disa qytete në Francë janë përballur me dhunë, grabitje dhe përleshje mes protestuesve e forcave të policisë, ndërsa autoritetet po vlerësojnë masa të tjera për rivendosjen e rendit.
Trump shtoi se emigracioni kishte qenë pjesë e bisedave me presidentin francez Emmanuel Macron, si edhe e një diskutimi me presidentin rus Vladimir Putin gjatë bisedimeve që lidhen me Rusinë.
Ai u bëri sërish thirrje qeverive europiane që të shtojnë masat për kontrollin e kufijve.
“Mbajini kufijtë tuaj nën kontroll, sepse vendet tuaja po shkatërrohen”, deklaroi Trump.
Në përmbyllje, presidenti amerikan kritikoi pasqyrimin mediatik të qëndrimeve të tij dhe pretendoi se disa liderë europianë kanë shqetësime të ngjashme, ndonëse nuk i shprehin publikisht.




